“Shkoni me prostituta në vilën e Radoiçiçit, ka xhirime”, Policia e Kosovës reagon pas akuzave të forta të PDK

Nga A2 CNN
2 Maj 2026, 09:34 | Kronikë

Policia e Kosovës ka reaguar pas deklaratave të ish-deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, bërë në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN, se në vilën e terroristit serb Milan Radoiçiç në Brezovicë, zyrtarë të Vetëvendosjes kanë organizuar festa me prostituta.

Në emisionin e datës 29 prill, gjatë një debati me deputetin e Vetëvendosjes Adnan Rrustemi, Berisha deklaroi: “Ju shkoni me prostituta në vilën e Radoiçiçit. Ke xhirimet e festës me vajza të reja”.

“Policia e Kosovës, referuar kërkesave dhe pyetjeve të adresuara nga media dhe gazetarë rreth deklarimeve, keqpërdorimeve dhe çështjeve të ndryshme se kinse kanë ndodhur në 'Villën e Radojçiçit' në Mitrovicë Veri, sqaron dhe njëherësh informon se: Policia e Kosovës, sipas detyrës dhe autorizimeve zyrtare, që nga koha e marrjes së objektit në mbikëqyrje për siguri, ka të vendosura njësitë e saja policore të profileve të ndryshme, të cilat kujdesen për sigurinë e objektit dhe hapësirës përreth.

Objekti sigurohet nga zyrtarët policorë dhe i njëjti vëzhgohet 24 orë nga kamerat, të cilat mbikëqyren nga zyrtarët policorë dhe qendra operative.

Çdo lëvizje apo hyrje-dalje në këtë objekt, monitorohet nga policia dhe se hyrja-dalja, bëhet vetëm nga personat e autorizuar që u lejohet qasja, siç janë zyrtarët policorë, zyrtarët e mbrojtjes së afërt, zyrtarët institucional dhe vetëm personat që marrin leje të caktuar dhe në asnjë rast nuk lejohen persona të tjerë apo civil”.

“Bazuar në procedurat policore, mbikëqyrjen strikt të objektit dhe vëzhgimit të objektit nga kamerat, njoftojmë mediat dhe opinionin e gjerë se në këtë objekt nuk është zhvilluar asnjë aktivitet i kundërligjshëm apo çështje që pretendohet apo deklarohet nga individ të caktuar në media.

Policia e Kosovës, do të vazhdojë të ofrojë siguri në mbar vendin, përfshirë në objektin në fjalë në Mitrovicë Veri dhe se do të mbajë të informuar drejt mediat dhe qytetarët me qëllim të parandalimit të dezinformimit të qytetarëve dhe njollosjes se personave, zyrtarëve të cilët kujdesen për sigurinë dhe rendin kushtetues”, shtoi policia. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos