
Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot pasdite fshatin Livoç i Ulët të Gjilanit, ku dy persona kanë mbetur të vrarë nga të shtënat me armë zjarri, ndërsa një tjetër është plagosur.
Sipas informacioneve nga mediat e Kosovës, një burrë dyshohet se ka vrarë bashkëshorten e tij dhe njërin prej vëllezërve të saj, ndërsa vëllai tjetër i gruas ka mbetur i plagosur dhe është transferuar në QKUK për trajtim të mëtejshëm mjekësor, shkruan A2CNN.
Policia e Kosovës ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka bërë të mundur arrestimin e të dyshuarit, i cili është vetëdorëzuar, ndërkohë që i është sekuestruar edhe arma e zjarrit.
Për shkak të rëndësisë dhe peshës së ngjarjes, në vendngjarje kanë dalë menjëherë dy prokurorë të shtetit, së bashku me drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan. Autoritetet po vazhdojnë hetimet intensive për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet që çuan në këtë tragjedi familjare. (A2 Televizion)