
Gati tri dekada para dënimit me 25 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë, Hashim Thaçi ishte dënuar në mungesë edhe nga sistemi gjyqësor i Serbisë.
Në korrik të vitit 1997, Gjykata e Qarkut në Prishtinë, e cila në atë kohë funksiononte nën autoritetin e Beogradit, kishte shpallur dënimin me 10 vjet burg për Thaçin. Autoritetet serbe e akuzonin për veprimtari që i cilësonin terroriste dhe për sulme kundër policisë e ushtrisë serbe.
Procesi ishte zhvilluar në mungesë të tij, në një periudhë kur Serbia i ndiqte dhe i dënonte veprimtarët shqiptarë që angazhoheshin për çlirimin e Kosovës. Thaçi, i njohur gjatë luftës me nofkën “Gjarpri”, vepronte ilegalisht dhe lëvizte ndërmjet Kosovës e vendeve të tjera, duke iu shmangur arrestimit nga forcat serbe.
Vendimi i vitit 1997 lidhej me veprimtarinë e tij në organizimin e rezistencës së armatosur dhe me sulmet që autoritetet e Beogradit ia atribuonin Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Serbia e trajtonte UÇK-në si organizatë terroriste, ndërsa për shqiptarët e Kosovës ajo përfaqësonte lëvizjen çlirimtare kundër represionit dhe sundimit serb.
Thaçi nuk e vuajti dënimin e shqiptuar nga gjykata e kontrolluar prej autoriteteve serbe. Dy vjet më vonë, ai doli në skenën ndërkombëtare si drejtues politik i UÇK-së dhe udhëhoqi delegacionin e Kosovës në Konferencën e Rambujesë.
Pas përfundimit të luftës, ai themeloi Partinë Demokratike të Kosovës, shërbeu si kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme, ndërsa më vonë u zgjodh president. Në shkurt të vitit 2008, si kryeministër, Thaçi e lexoi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.
Në nëntor të vitit 2020, ai dha dorëheqje nga posti i presidentit pas konfirmimit të aktakuzës nga Dhomat e Specializuara dhe u transferua në Hagë.
Sot, më 16 shtator 2026, Trupi Gjykues e dënoi atë me 25 vjet burgim për krime lufte, duke e shpallur të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.
Kështu, Hashim Thaçi është përballur me dy dënime në dy periudha dhe rrethana krejtësisht të ndryshme: fillimisht nga sistemi gjyqësor i Serbisë së Sllobodan Millosheviçit në vite ’90 për veprimtarinë e tij kundër pushtetit serb dhe, pothuajse 30 vjet më vonë, nga Dhomat e Specializuara në Hagë për pretendimet lidhur me krimet e kryera gjatë luftës./KosovaPress (A2 Televizion)