Navi Pillay fiton çmimin Nobel për Paqen e këtij viti. Komiteti Norvegjez bëri njoftimin duke vlerësuar kontributin e madh të juristes nga Afrika e Jugut për promovimin e paqes përmes së drejtës ndërkombëtare, ndërsa theksohet se ajo ka garantuar ndjekjen penale për krimet e luftës, kundër njerëzimit si dhe për gjenocidin.
Kryetari i Komitetit Norvegjez të Nobelit Joergen Watne Frydnes u shpreh: “Laureatja e këtij viti ka zgjeruar ndjeshëm fushëveprimin dhe ndikimin e së drejtës ndërkombëtare. Ajo ka shërbyer si gjyqtare në Gjykatën e Lartë në Afrikën e Jugut, në Tribunalin Ndërkombëtar Penal të Ruandës dhe në Gjykatën Ndërkombëtare Penale. Ajo ishte Komisionere e Lartë e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut dhe deri vonë kryesoi Komisionin e Pavarur Ndërkombëtar të Hetimit të OKB-së mbi Territorin e Pushtuar Palestinez. Sot, Navi Pillay është gjyqtare në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në rastin ku Mianmari akuzohet për gjenocid. Në çështjet historike gjyqësore ndërkombëtare, ajo ka treguar se masat ligjore mund të ndihmojnë në parandalimin e akteve të luftës dhe dhunës.”
Në reagimin e saj të parë pas marrjes së lajmit, ka pasur edhe një ngacmim për presidentin amerikan, Donald Trump, i cili prej vitesh e synon çmimin prestigjoz.
“Faleminderit shumë. Nëse duartrokisni pak më shumë, mund ta ndaj këtë çmim me Trumpin… më telefonuan për të më njoftuar, mendova se ishte shaka. Gjëja e fundit që bëra është paraqitja e raportit mbi Gazën duke e quajtur atë që po ndodh atje si gjenocid. Pra, një nga reagimet kryesore ndaj kësaj mbështetjeje është të më nderoni për guximin tim”, u shpreh Pillay.
Nderimi i jursites me Nobelin e Paqes nxiti një reagim të fortë nga Izraeli.
“Dhënia e Çmimit Nobel për Paqen për Pillay nuk është një njohje e drejtësisë. Është armatosja groteske e një çmimi për të legjitimuar urrejtjen dhe paragjykimet anti-Izrael. Tani që komisioni i Nobelit ka shpërblyer gënjeshtrën më të madhe të shekullit të 21-të, Joseph Goebbels me siguri po duartroket nga ferri”, tha ministria e jashtme e Izraelit.
Për edicionin e këtij viti ishin paraqitur 287 kandidatura për Nobelin e Paqes. Dorëzimi vjen kur Komiteti Norvegjez shënon 125 vjetorin e nderimit prestigjoz. (A2 Televizion)