Një arritje të madhe për mbrojtjen e luftës së drejtë të UÇK-së dhe për garantimin e drejtësisë. Kështu e ka cilësuar shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale, duke bërë thirrje për zbatim të plotë të tij. Tahiri ka vlerësuar se ky është një vendim i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe si i tillë duhet të respektohet.
Arian Tahiri: "Kushdo që sot mendon se ky ligj mund të shpërfillet, me kohë do të bindet për të kundërtën. Ky ligj është miratuar dhe ne do të qëndrojmë deri në fund për zbatimin e tij të plotë. Kosova duhet të veprojë si shtet sovran, dhe do të veprojë si i tillë.”
Ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara u miratuan pas një kompromisi të minutave të fundit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe PDK-së, që përfshinte edhe çështjen e zgjedhjes së presidentit. Por Vetëvendosje, edhe pse mbështeti amendamentet, vazhdon të ketë dyshime nëse ligji mund të ndikojë në proceset gjyqësore në Hagë. Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, thotë për Radion Evropa e Lirë se partia e saj kishte shprehur rezerva për përmbajtjen e ndryshimeve në ligj dhe për nxitimin me të cilin kërkohej miratimi.
“Ne kemi pasur dyshimet dhe skepticizmin tonë. E kemi thënë këtë publikisht, edhe në takimet me PDK-në, edhe në deklaratat tona. Ne kemi parë se Partia Demokratike besonte në këtë projektligj, në formën se si e ka hartuar, dhe e kemi dhënë mbështetjen tonë, duke pranuar besimin e tyre.”
Megjithatë, ajo nuk është e bindur se ndryshimet do të përmbushin pritshmëritë për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së. Miratimi i ligjit nxiti reagime nga Bashkimi Evropian dhe Gjermania, të cilat ngritën shqetësime për detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe pavarësinë e Dhomave të Specializuara. (A2 Televizion)