Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin e Graz në Austri, ku një sulm i armatosur në një shkollë ka rezultuar me humbjen e jetës së 10 personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD), përmes një njoftimi ka konfirmuar se në mesin e viktimave mund të jetë edhe një vajzë 15-vjeçare me prejardhje nga Kosova, e identifikuar me inicialet L.B., e lindur në Austri në vitin 2010.
“Nga burime jozyrtare kemi mësuar se në mesin e viktimave mund të jetë edhe një e mitur me prejardhje nga Kosova, L.B. e lindur në Austri në vitin 2010. Autoritetet austriake nuk kanë publikuar ende një listë zyrtare të plotë të viktimave dhe të lënduarve, për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe moshës së të përfshirëve,” thuhet në njoftimin e MPJD-së.
Sipas të dhënave zyrtare nga Policia Austriake, mes viktimave është edhe një shtetas i huaj me origjinë nga Polonia, ndërsa të tjerët janë shtetas austriakë. Deri më tani nuk raportohet për shtetas të Kosovës në mesin e të plagosurve.
“Sipas informacioneve zyrtare të pranuara nga Zyra Federale e Policisë Kriminale (BKA) në Vjenë, si pasojë e të shtënave me armë zjarri, kanë humbur jetën 10 persona – gjashtë femra dhe katër meshkuj – përfshirë edhe autorin e dyshuar të ngjarjes, i cili dyshohet se ka kryer vetëvrasje brenda ambienteve të shkollës,” bëhet e ditur më tej në komunikatë.
MPJD ka theksuar se përmes Ambasadës së Kosovës në Austri, është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet vendore për të siguruar informacion të saktë dhe të konfirmuar mbi këtë ngjarje të rëndë. (A2 Televizion)