Flamujt shtetërorë dhe ata kombëtarë gjithandej në Kosovë u ulën në gjysmështizë të premten në nderim të akademikut Rexhep Qosja.
Për akademik Qosjen, që ndërroi jetë një ditë më parë, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu hapi librin e zisë në hollin e Kuvendit të Kosovës dhe shpalli të premten si ditë zie.
Liderë politikë e institucionalë dhe personalitete të tjera nderuan veprën dhe kontributin e Qosjes duke shkruar në këtë libër.
Në një mbledhje përkujtimore të mbajtur në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, kryeministri Albin Kurti e cilësoi veprën e Qosjes si një nga arritjet më të rëndësishme të mendimit kritik shqiptar në dy shekujt e fundit.
Kurti theksoi se Qosja ishte intelektual publik që u bë “zëdhënësi i popullit të ndaluar” në kohët më të vështira të shtypjes kombëtare. “Studimet e Rexhep Qosjes dhe të kolegëve të tij për gjuhën, letërsinë, historinë, folklorin shqiptar, përgatitën dy breza të shqiptarëve për përballjen politike dhe shoqërore që do të vinte në dekadat 1980 e pastaj 1990, për mbrojtjen e të drejtave dhe të dinjitetit kombëtar”, tha Kurti, përcjell A2 CNN.
Përfaqësues të lartë të jetës akademike thanë se humbja e Qosjes përbën një zbrazëti të madhe kombëtare. Ai u vlerësua si modeli i intelektualit të angazhuar dhe të palëkundur, i cili mishëroi integritetin dhe guximin qytetar edhe kur fjala e lirë kërkonte sakrificë.
“Humbja e tij nuk është vetëm humbje e letërsisë dhe kulturës sonë. Ajo përmban një humbje të madhe kombëtare, një zbrazëti që prek ndërgjegjen intelektuale të të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen”, tha Justina Pula, nga Akademia e Shkencave të Kosovës.
“Akademik Rexhep Qosja ishte një erudit i rrallë, një personalitet i jashtëzakonshëm i kulturës mbarëshqiptare, studiues i përkushtuar dhe shkrimtar i mirënjohur. Jeta dhe vepra e tij janë të lidhura pazgjidhshmërisht me historinë e mendimit shkencor, letrar dhe politik të botës shqiptare”, tha Anila Hoda, Akademia e Shkencave të Shqipërisë.
Qosja u nderua edhe për rolin e tij protagonist në proceset demokratike dhe përpjekjet për lirinë e Kosovës. (A2 Televizion)