Kurban Bajrami në Kosovë, myftiu i ashpër me politikën: Na keni lodhur!

Nga Ideal Gola
27 Maj 2026, 10:33 | Kosova

Besimtarët myslimanë në Kosovë po kremtojnë Kurban Bajramin, festë e cila simbolizon sakrificën ndaj Zotit, si dhe humanitetin dhe solidaritetin mes njerëzve.

Ceremonia qendrore e faljes së namazit të Kurban Bajramit u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, me mesazhe për paqe, solidaritet, harmoni dhe dashuri ndërmjet njëri-tjetrit. Mesazhet kryesore për këtë festë i dha Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava. Duke njohur situatën politike, ai ftoi subjektet politike që të unifikohen për të mirën e vendit dhe të krijojnë kushte më të mira për të rinjtë.

Myftiu i Kosovës Naim Tërnava shprehet:  “Fatkeqësisht, interesat e ngushta grupore dhe përplasjet e pafundme politike të partive tona kanë lodhur qytetarët tanë dhe kanë krijuar pasiguri për të ardhmen. Mbajtja e zgjedhjeve të njëpasnjëshme, mungesa e unitetit institucional dhe polarizimi politik nuk i shërbejnë Kosovës, por e dobësojnë besimin qytetar dhe e zbehin shpresën e brezit të ri”.

Myftiu Tërnava shtoi se Kosova ka nevojë për institucione funksionale dhe përgjegjësi shtetërore.  “Në këtë ditë të madhe, le të pastrojmë zemrat tona nga urrejtja, përçarja dhe egoizmi, le të forcojmë lidhjet familjare e shoqërore, le t’i ndihmojmë nevojtarët dhe le të bëhemi njerëz të paqes, të dijes dhe të përgjegjësisë”, thotë Tërnava.

Festa e Kurban Bajramit për besimtarët myslimanë vjen pas kryerjes së haxhit, ku rreth 1600 besimtarë kosovarë kanë udhëtuar drejt Mekës për të kryer ritualet e Haxhit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos