Zgjedhjet e 7 qershorit, diaspora, rekord aplikimesh për votim

Nga Ideal Gola
18 Maj 2026, 23:30 | Kosova

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmbylli afatin për aplikim për votimin nga jashtë Kosovës. Në zgjedhjet e 7 qershorit, numri i personave që duan të votojnë nga diaspora është më i larti ndonjëherë në historikun e zgjedhjeve. Në shkurt 2021 ishin regjistruar mbi 102 mijë, ndërsa në shkurt të vitit të kaluar rreth 105 mijë. Në zgjedhjet e dhjetorit pati rreth 77 mijë votues të regjistruar nga diaspora.

Valmir Elezi nga KQZ tha: “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar më shumë se 142.000 kërkesa, pra aplikime për t'u regjistruar si votues jashtë Kosovës. Dhe deri më tani kur po flasim, janë aprovuar rreth 110.000 aplikime, ndërkaq janë refuzuar 7.325 të tjera dhe në shqyrtim e sipër janë rreth 26.000 aplikime”.

Në bazë të të dhënave të KQZ-së, mënyra më e përzgjedhur për të votuar nga shtetasit e Kosovës të cilët jetojnë jashtë vendit është votimi përmes postës.

 “Nga rreth 110.000 aplikime të aprovuara deri më tani, rreth 82.000 shtetas kanë përzgjedhur mënyrën e votimit për të dërguar pakon me fletëvotim në adresë të kutisë postare të KQZ-së jashtë Kosovës. Rreth 3.000 të tjerë për të dërguar pakon me fletëvotim në adresë të kutisë postare të KQZ-së në Kosovë dhe për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike janë regjistruar rreth 25.000 shtetas të Kosovës”, tha Elezi.

Votimi me postë do të fillojë më datë 25 maj dhe do të përfundojë më 6 qershor, ndërkaq votimi fizik në përfaqësi diplomatike organizohet më datë 6 qershor, një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë. KQZ ka funksionalizuar 23 kuti postare në shtete të ndryshme të botës, përfshirë edhe Kosovën. Ndërkaq për votimin fizik në përfaqësi diplomatike, sipas vendimit fillestar të KQZ-së, procesi është planifikuar të organizohet në 48 përfaqësi diplomatike, prej të cilave 33 ambasada dhe 15 konsullata.

 “Në rastet kur në një përfaqësi diplomatike numri i votuesve të regjistruar është nën 50, atëherë nuk zhvillohet procesi i votimit në atë përfaqësi diplomatike dhe votuesit kalojnë automatikisht në statusin e votuesve për të votuar përmes postës dhe për këtë njoftohen nga ana e KQZ-së”, u shpreh Elezi.

Edhe në këtë proces zgjedhor, KQZ do të dërgojë pakon me fletëvotim për votuesit të cilët janë regjistruar për të votuar përmes postës. Fletëvotimet pritet të mbërrijnë së shpejti në Kosovë dhe KQZ planifikon që gjatë kësaj jave të fillojë dërgesat për votuesit e regjistruar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos