Lobimi kundër Kosovës në KiE, qeveria akuzon Serbinë: Po shkel marrëveshjen e normalizimit

Nga Xhevahir Qardaku
6 Prill 2024, 13:07 | Kosova

Qeveria e Kosovës akuzon Serbinë për shkelje të marrëveshjes së normalizimit dhe aneksit të zbatimit. Jeton Zulfaj, këshilltari politik i kryeministrit Albin Kurti, thotë për KosovaPress se lobimi agresiv i Beogradit zyrtar kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe letra e Brnabiç drejtuar Brukselit, e pamundësojnë implementimin e ujdisë.

“Serbia është distancuar nga marrëveshja dhe ka dërguar letër në Bashkimin Evropian, ku thotë se marrëveshja nuk është e obligueshme ligjërisht për Serbinë dhe nuk është e pranueshme në tërësinë e saj. E ka sulmuar marrëveshjen në dy pikat e saj qendrore të cilat e pamundësojnë zbatimin e saj,” shprehet Jeton Zulfaj, këshilltar politik i kryeministrit Kurti.

Ai shpjegon dhe letrën e krerëve institucional dërguar Këshillit të Evropës, ku konfirmohet gatishmëria e Kosovës për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit, përfshirë formimin e asociacionit.

“Nuk ka ndonjë gjë të re në këtë drejtim. Aty jemi të zotuar se do të zbatojmë mbi bazën e Kushtetutës edhe në letër siç e keni parë, brenda kompetencave të qeverisë dhe në përputhje me kushtetutën. Pas anëtarësimit në Këshillin e Evropës do të merren të gjitha hapat për zbatimin e plotë të marrëveshjes.”

Këshilltari i kryeministrit Kurti, e konsideroi të dështuar, ndërmjetësuesin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, duke theksuar se shpesh Kosova ka pasur mospajtime me të nga qasja e pabarazisë mes palëve. Zulfaj foli edhe për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare brenda këtij viti.

“E dina që zgjedhjet e ardhshme janë në dimrin e vitit 2025. Prandaj duke ditur që në dimër është një sezon më e vështirë për nga kushtet e motit për zgjedhje dhe duke parë që vazhdimisht opozita është e interesuar për zgjedhje për këtë vit. Sigurisht mund të ulemi të bisedojmë dhe kur të shpërbejmë Kuvendin dhe të shkojmë në zgjedhje.”

Zulfaj nënvizoi mes tjerash se mbështetja e qytetarëve në Kosovë për kryeministrin Kurti mbetet në nivelin e zgjedhjeve të fundit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos