Çmimet e naftës në Kosovë, qeverisë i kërkohet të ndërhyjë me masa fiskale

Nga Ideal Gola
23 Mars 2026, 19:02 | Kosova

Konflikti në Lindjen e Mesme ka ndikuar në rritjen e shpejtë të çmimeve të karburanteve edhe në Kosovë. Për dy javë, nafta është shtrenjtuar me rreth 30%.

Të hënën, çmimi i naftës në Kosovë ka arritur në 1.72 centë për litër, më i larti gjatë javëve të fundit. Tregtarët e derivtateve fajësojnë luhatjet në tregun global si arsye për rritjen e përditshme të çmimeve.

Oda Ekonomike e Kosovës kërkoi nga Qeveria e Kosovës që të ndërhyjë urgjentisht me masa fiskale për të parandaluar efektët zinxhirë që shkakton rritja e çmimit të naftës.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacioni gjatë muajit shkurt ishte 6% ndërsa parashikimet janë që situata mund të përkeqësohet gjatë muajit mars.

Lulzim Rafuna nga Oda Ekonomike e Kosovës shprehet: “Ulja e tatimit të akcizës dhe ulja e tatimit të vlerës së shtuar apo lirimi nga tatimi i vlerës së shtuar për një periudhë të caktuar kohore do ta kishte ndihmuar shumë biznesin, do ta kishte ndihmuar shumë qytetarin e Republikës së Kosovës që do të kishte më pas impakt edhe në zhvillim ekonomik për shkak se do ta kishim ngadalësuar rritjen e inflacionit”.

Të hënën gjithashtu u konfrmua shtrenjtimi i biletave të udhëtimit për transportin ndërurban për shumë nga linjat e qyteteve drejt Prishtinës.

Ndërhyrja përmes masave fiskale pretendohet se mund të ul çmimin në masë të konsiderueshme. “Do të ndikonte me një ulje, sipas analizave tona, 30-40% në çmim të naftës varësisht se cila tatime i largon apo i ul”, vijon Refuna.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i kërkoi gjithashtu Qeverisë të heq së paku 50% të TVSH-së për derivatet dhe të pezullojë akcizën.

Përmes një letre drejtuar Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, AAK kërkoi edhe krijimin e një Task force si dhe të merren me qira deponitë ekzsituese në 6 pika kryesore për krijimin e rezervave maksimale stategjike të naftës.

Besnik Tahiri i AAK-së thotë: “Është jashtëzakonisht e rëndësishme që Qeveria të veprojë shpejtë ndërsa për ne është e habitur fakti që Qeveria po rri në këtë komoditet duke ditur se ne jemi vendi më i varfër në Europë ndërsa shumica e shteteve rajonale dhe europiane tanimë kanë marr masa drastike për të reaguar mbi një krizë e cila është duke e rënduar jetën në Kosovë”.

Furnizimi me naftë në Kosovë mbështetet kryesisht në importe nga Greqia, Shqipëria, Hungaria dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e saj hyn përmes terminalit të Porto Romanos në Durrës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos