Të enjten, do të zhvillohet takimi i radhës në Bruksel i kryenegociatorëve, Kosovë-Serbi. Për këtë takim, korrespondenti i A2 CNN në Prishtinë, Tomorr Avdia ka dhënë detaje se çfarë pritet nga tryeza e përbashkët mes palëve.
“Debati në nivelin teknik ka disa kohë që ka filluar, mirëpo ky debat do të ketë specifika më të dedikuara, pasi sipas burimeve të A2 CNN brenda kabinetit qeveritar, do të jenë pjesë re diskutimeve disa dhjetëra vërejtje. Duket se do të jenë debate më të shumta teknike, mes delegacioneve, ku siç duket, delegacioni i Prishtinës i cili është nisur sot drejt Brukselit ka marrë me vete ekspert të fushave të ndryshme, pjesës së administratës, të drejtësisë, politikës, të arsimit, të cilat do të jenë pjesë e këtij diskutimi”, tha Avdia.
Nga ana tjetër, Albin Kurti tha se ka pasur disa vërejtje për draftin e Asociacionit, ndonëse e cilësoi si më të mirin që është propozuar deri më tani. Avdia ka zbuluar se këto vërejtje kanë shkuar në tryezën e ndërkombëtarëve, por mbetet për t’u parë nëse do të reflektohen ose jo në draftin final.
“Vërejtjet e Kurtit kanë shkuar në tryezën e ndërkombëtarëve, por mbetet për t’u parë nëse këto vërejtje do të përfshihen në draftin final ose jo. SHBA dhe BE janë të interesuar që të kenë një marrëveshje”, tha Avdia. (A2 Televizion)