Njohja e Kosovës, kusht për Serbinë? SHBA me qëndrime të ndryshme, BE: Kusht është normalizimi

Nga A2 CNN
13 Qershor 2024, 20:13 | Kosova

Bashkimi Europian garanton se Serbia nuk do të bëhet anëtare e BE nese nuk normalizon raportet me Kosovën, e megjithatë nuk shprehet qartë nese njohja e pavarësisë do të jetë kusht.

Zëdhdnësi i bllokut Peter Stano, tha në një reagim për Radion Evropa e Lirë se qëndimi i bllokut lidhur me çështjen mbetet i pandryshuar.

“Marrëveshja e Ohrit, aktualisht e bën shumë të qartë: Nëse nuk ka progres në normalizim, nuk do të ketë progres në negociatat e anëtarësimit. Qëndrimi i BE-së rreth kësaj nuk ka ndryshuar dhe mbetet i njëjti, siç është thënë në të kaluarën dhe siç është cekur në kriteret e anëtarësimit.”

Reagimi i tij erdhi pasi ambasadori amerikan në Beograd, Christofer Hill, tha më herët se europianët po i kërkonin Beogradit pikërisht atë që thonë, pra normalizimin e marrëdhënieve, dhe shprehu bindjen se njohja formale e Kosovës nuk do të jetë kusht për të.

Deklarata e Hill bie në kundërshti me atë të homologut të tij në Kosovë, Jefrey Hovenier, i cili 2 ditë më herët theksoi se dialogu mes dy vendeve duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë.

Sakaq, zëdhënësi i BE, pranoi se Serbia po shkel marrëveshjen me Kosovën të arritur vitin e kaluar, duke u angazhuar në pengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

“Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit është e vlefshme dhe e detyrueshme në tërësinë e saj si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Këtu përfshihet edhe neni 4 i marrëveshjes.”

Lobimi i Serbisë kundër Kosovës është një shkelje e qartë e Marrëveshjes”, Kjo është hera e parë që Brukseli shprehet qartazi dhe në mënyrë të prerë se Serbia po shkel marrëveshjen e arritur ne vitin 2023 në Bruksel dhe Ohër. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos