Shpronësimet në veri, Osmani: Na duhet të mbrohemi nga sulmet serbe në veri

Nga Ideal Gola
7 Qershor 2024, 20:11 | Kosova

Shpronësimet në veri, Osmani: Na duhet të mbrohemi nga sulmet

Presidentja Vjosa Osmani doli në mbështetje të shpronësimeve të rreth 100 hektarëve tokë në disa zona në komunat veriore Leposaviq dhe Zubin Potok ku pritet të ndërtohen stacione policore.

Një ditë më parë, shtetet e QUINT-it e Bashkimi Evropian reaguan ndaj vendimit të Qeverisë për shpronësim, ndërsa ekzekutivi e quajti deklaratën që e “konstaton në mënyrë të gabuar gjendjen faktike dhe bën vlerësim ligjor të pabazuar në argumente”.

Osmani tha se përkrah çdo veprim që është në interes të sigurisë nacionale dhe në interes të gjithë qytetarëve pa dallim duke thënë se Kosovës i duhet të mbrojë veriun nga sulmet e Serbisë.

 “Ju e dini që është jashtëzakonisht e rëndësishme, e domosdoshme për sigurinë e të gjithë neve pavarësisht ku jetojmë brenda Kosovës që veriu i Kosovës të mbrohet nga sulmet e Serbisë dhe në mënyrë që Kosova të mbrohet ne kemi nevojë për prezencë të institucioneve tona të sigurisë të cilat e kanë mbrojtur heroikisht dhe me sukses çdo cep të vendit tonë”

Mirëpo, për njohësit e sigurisë, përveç anës ligjore, Qeveria duhet të kujdeset edhe në aspektin strategjik të sjelljes së saj më ndërkombëtarët.

 “Vendimet ligjore duhen të mendohen edhe në aspektin strategjik, konkretisht në harmonizmin e qëndrimeve edhe me kërkesat e ligjshme ndërkombëtare dhe nëse evitohen edhe këto pengesa natyrisht që duhet më e mira e mundshme që të ndërtohen infrastruktura në interes të shërbimit publik të të gjitha komuniteteve.”

Procesi për shpronësimin në veri kishte nisur në fillim të vitit të kaluar, por ishte ndërprerë pasi banorët kishin paditur Qeverinë, ndërsa ndërkombëtarët e përmenden si një nga kushtet para anëtarësimit në Këshillin e Evropës, i cili dështoi të futej në agjendë në mes të muajit maj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos