Nuk pranohet kërkesa për njohje, pozita dhe opozita bëhen bashkë në Spanjë kundër Kosovës

Nga Xhevahir Qardaku
27 Qershor 2024, 20:15 | Kosova

Pavarësisht se argumentet ishin bindëse dhe të bazuara në fakte, shumica e parlamentit në Spanjë vendosi të mbyllë veshët për zërin e arsyes.

Propozimi i Junts per Catalunya që qeveria të njohë pavarësinë e Kosovës nuk arriti të sigurojë një mbështetje të madhe, pasi opozita dhe pozita u bën bashkë.

293 deputetë votuan kundër, 27 abstenuan dhe vetëm 25 ligjvënës e mbështetën thirrjen për të ndryshuar qasje dhe Spanja të mos rreshtohej më në të njëjtën tryezë me shtete si Rusia, Bjellorusia apo Kina, që vlerësohen kundërshtare të Bashkimit Europian dhe NATO-s.

Gjatë të martës, partitë baske dhe ato të Katalonjës u përplasën ashpër gjatë debatit të thirrur në Kongres për njohjen e Kosovës.

Propozimi është bërë nga forca politike Junts për Catalunya dhe bazohet në faktin që Kosova është një shtet i sundimit të ligjit, i njohur nga 104 prej 193 shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, dhe se Spanja me mos njohjen e saj po pengon politikat europiane në integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

Eduard Pujol Bonell nga partia katalanase kërkoi nga qeveria e kryeministrit Pedro Sanchez të reflektojë dhe të ndryshojë qasjen pas rasti i Kosovës nuk është i njëjtë me atë të Katalonjës dhe nuk do të përdoret politikisht.

Duke mos e njohur pavarësinë, Spanja po rreshtohet nga Putini i Rusisë, nënvizoi ai.

Mbështetja më e madhe erdhi nga Esquerra Republicana dhe partia baske Euskal Herria Bildu, me deputetët e tyre që theksuan se “pavarësia nuk u shpall për shkak të kapriços së kosovarëve, por sepse u lodhën nga politika gjenocidiale e Millosheviçit që donte Serbinë e Madhe”.

“Spanja duket qesharake që nuk e njeh”, tha Francesc-Marc Álvaro Vidal. Partia Popullore në opozitë akuzoi partinë katalanase se po përdor Kosovën për të arritur në pavarësinë e krahinës spanjolle.

Obdulia Taboadela Álvarez, deputete e partisë së kryeministrit Sanchez, tha se qeveria nuk do ta ndryshojë qasjen për mos njohjen e Kosovës, por vetëm do të vazhdojë mbështetjen për dialogun Prishtinë-Beograd dhe për paqen në Ballkanin Perëndimor.

Më të ashpër ishin anëtarët e së djathtës ekstreme VOX, që kërkuan të ruhen raportet e mira me Serbinë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos