Urdhrin e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani drejtuar Kuvendit për t’u mbledhur brenda 48 orëve, e për t’i hapur rrugën konsituimit, e ka përshëndetur përmes një postimi në Facebook, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Duke e cilësuar pyetje jologjike, atë që Vetëvendosje i drejtoi Kryetares së Shtetit, Abdixhiku thotë se siç u paralajmëruar me komunikatë nga LDK, “Seanca Plenare nuk mbahet peng e tekeve bllokuese e intencës ofenduese të partisë së parë”.
“E mirëpres përgjigjen e Presidentes ndaj pyetjes jologjike të partisë së parë! Dramat eventualisht bien; me to dhe zhurma që provohet të bëhet propagandë! Seanca plenare mbahet me detyrim brenda 48 orëve; siç u paralajmërua edhe vendimi ynë si Grup Parlamentar!”, shkruan Abdixhiku.
Në vijim, kreu i LDK nënvizon se partia që ai drejton do të vazhdojë të sillet “në mbrojtje të ligjeve e Kushtetutës dhe së këndejmi të vet Republikës”, pasi siç thekson Abdixhiku “këtë punë kanë deputetët e vendit”.
Ai po ashtu insiston se ministrat dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti duhet të dorëzojnë dorëheqjen dhe më pas të votohet për konstituimin e Kuvendit të ri.
“Nesër, sërish, përfaqësuesit tanë do të kërkojnë dorëheqjen e gjithë atyre që me zor duan t’i mbajnë dy poste përjashtuese në të njëjtën kohë. Do ta kërkojnë si obligim ligjor, si rrjedhë kushtetuese, si logjikë demokratike! Republika mbi të gjitha”, thotë Abdixhiku. (A2 Televizion)