Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se deputetët e partisë së tij do të shkojnë në Kuvend të enjten, më 17 prill, për vazhdimin e seancës konstituive.
“Seanca konstituive e Kuvendit të Republikës duhet të mbahet e të thirret më së largu çdo 48 orë. Nesër, nga ora 10:00, siç e parasheh Rregullorja e Kuvendit të Kosovës, deputetët e LDK-së do të jenë prezentë në seancën që duhet të ndodhë”, shkroi Abdixhiku në Facebook.
Ai bëri thirrje të gjithë deputetëve të certifikuar dhe partive parlamentare të jenë të pranishëm të seancë ndërsa përsëriti kërkesën ndaj anëtarëve të qeverisë qe të japin dorëheqjen.
“Ftojmë kabinetin qeveritar, që pretendojnë se janë dorëhequr por ende, dhe paradoksalisht, mbajnë mbledhje qeveritare dhe marrin vendime, të dorëhiqen dhe këto dorëheqje t’i deponojnë te organet e Kuvendit të Kosovës”, shtoi Abdixhiku.
Seanca e pare për konstituimin e legjislaturës së nëntë, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, dështoi pasi pasi deputetët e opozitës nuk e miratuan raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit me pretendimin se Kurti dhe pjesëtarët e tjerë të qeverise nuk kishin dhënë zyrtarisht dorëheqjen. (A2 Televizion)