Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila tha se deputetët duhet të zgjedhin kryetarin e Kuvendit përmes votimit të hapur.
“Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë të plotë kërkesave tona dhe lëndës së hartuar nga LDK. Siç e kishim thënë, sa e sa herë, partia e parë kishte uzurpuar foltoren, me imponim kishte ndryshuar rendin e ditës dhe me kokëfortësi për plot 48 herë kishte shkelur Kushtetutën e Kosovës duke insistuar në votimin e fshehtë - para dhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Votimi i fshehtë nuk pranohet”, shkroi Abdixhiku në Facebook.
Abdixhiku tha se Kosova ka humbur kohë që nga mbajtja e zgjedhjeve më 9 shkurt.
“Gjysmë viti i humbur nga ata që imponimin e kanë si vlerë e përçmimin si metodë - gjithsesi paditurinë për të lexuar Kushtetutën e vendimet e saja si mburrje. Dritë, megjithatë do të ketë”, tha ai.
Gjykata Kushtetuese tha të premten, më 8 gusht, se deputetët duhet të zgjedhin kryetarin e Kuvendit përmes votimit të hapur. Po ashtu, gjykata vendosi që një kandidaturë për kryeparlamentar të votohet vetëm tri herë. Kushtetuesja tha se konstituimi duhet të përmbyllet brenda 30-ditësh.
(A2 Televizion)