Kryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, akuzoi Qeverinë se me politika populiste po rrezikon shtetësinë dhe për një grusht vota është duke ndjekur rrugën e konfrontimit edhe me aleatët.
Gjatë seancës së Kuvendit, Abdixhiku tha se pikërisht kjo politikë nuk solli asnjë njohje dhe asnjë anëtarësim në katër vite ndërsa vendi mbetet nen masa të Bashkimit Evropian.
“Në pabesinë më të madhe historike kemi zënë vendin e ankuesve ndaj aleatëve tanë, i sulmojmë ata, i godasim ata për të marrë në fund asnjë rezultat, veçse vulën e fajtorit dhe njollën e një shteti të vetmuar me të cilin nuk do të merret asnjë vend evropian”, tha Abdixhiku.
Abdixhiku shtoi se me njohjen e pasaportave serbe të lëshuara për territorin e Kosovës, Bashkimi Evropian njohu autoritetin serb mbi shtetin e pavarur të Kosovës.
“Jemi në prag të përjashtimit edhe nga Procesi i Berlinit për të humbur kështu përfundimisht barabarësinë e trajtimit mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Këto janë pasoja serioze të kësaj politike populiste, kjo politikë nuk shpie askund përveç në favorizimin e kundërshtarëve tanë historikë”, shtoi ai.
Kreu i LDK-së u ndal edhe tek hapja e urës së Ibrit duke thënë se askush nuk ishte kundër, por nuk duhet të ketë përplasje me aleatët.
“Jam dhe jemi kundër përplasjes me NATO-n. Për ta thënë shkurt, shqip, qartë sepse ka një vijë që se kalojmë dot, NATO dhe Kosova janë bashkë, asnjëherë përballë”.
Në deklarimin e tij gjatë seancës, Abdixhiku tha se lajmi i vetëm i mirë është që ky legjislacion po përfundon, e siç shtoi ai, edhe politika e zymtë e përplasëse. (A2 Televizion)