Kryeministri Albin Kurti deklaroi se vizitat e tij në komunat veriore me shumicë serbe janë vizita pune për të shembur paragjykimet. Në mbledhjen e kabinetit qeveritar, Kurti u shpreh se aktualisht në komunat veriore po investohet në shumë fusha pasi ka qytetarët në atë anë janë lënë anash për dy dekada, raporton A2 CNN.
“Vizitat tona, të zyrtarëve shtetërorë, në këto komuna nuk janë kundër askujt. Ato në fakt janë të domosdoshme për të kuptuar nevojat që këto komuna i kanë, pasi ta kemi lënë anash çfarëdo paragjykimi për të cilin qeveria jonë angazhohet që nga dita e parë e saj”, tha Kurti.
Kurti u ndal edhe të mbyllja e komunave paralele në veri të cilat funksionin ilegalisht për të cilën reaguan edhe ndërkombëtarët.
Kurti tha se operacioni për mbylljen e tij ishte ligjor pasi ato struktura operonin edhe në objekte të uzurpuara. Ai tha se qeveria e tij nuk është për mbyllje por përkundrazi tani në komunat veriore ofrohen më shumë shërbime të institucioneve kosovare.
“Se kush është për mbyllje dhe kufizim, e pamë edhe një herë në fund të javës së shkuar. Grupe personash të maskuar, në prani të Policisë së Serbisë, në kufi me Republikën e Kosovës por në territorin e Serbisë, bënin rolin e policit kufitar duke ndaluar vetura e legjitimuar udhëtarë për të kuptuar përkatësinë e tyre etnike”, tha Kurti.
Kurti përgëzoi policinë dhe inteligjencën kosovare që tha se janë në krye të detyrës për të parandaluar përpjekjet e Serbisë për të destabilizuar vendin, ashtu siç tentuan edhe me bllokadat pranë kufijve. (A2 Televizion)