“Më mirë vonë se kurrë”. Ky ishte reagimi i kreut të Kuvendit, Glauk Konjufca pas ngritjes së aktakuzave për 45 terroristët e Banjskës. Ai kërkoi që procesi për të dhënë drejtësi për vrasjen e rreshterit policor Afrim Bunjaku të vijojë pa vonesa, raporton A2 CNN.
“Ky po që është një lajm i mirë dhe një lajm për të cilën nuk dua të jap kritikat më pastaj të tjera pse u vonua kaq shumë por do të thosha se fraza më e mire që i shkon kësaj është 'më mirë vonë se kurrë' dhe kështu ka ndodhur”, tha Konjufca.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deklaroi se në vazhdimësi kanë shprehur shqetësimet për mungesën e aktakuzës për Milan Radoiçiç edhe për faktin se në vitin 2021 atij i ishte tërhequr një urdhërarrest që , sipas Haxhiut, mund ta parandalonte “Banjskën”.
“Kemi shprehur shqetësimet tona sepse dihet qëllimet që ka pasur Serbia, dihet që ai grup terrorist i financuar nga Serbia dhe është trajnuar atje në bazat e tyre të trajnimit prandaj edhe kemi kërkuar një hetim ndërkombëtar për këto baza të trajnimit dhe ne mirëpresim ngritjen e aktakuzave për kryeterroristin Milan Radojçiq dhe terroristët tjerë”, tha ministrja, shkruan A2 CNN.
Haxhiu kërkoi nga ndërkombëtarët që të bëjnë presion mbi Serbinë në mënyrë që të dorëzojë Milan Radoiçiçin dhe terroristët e tjerë në Kosovë. Ajo tha se kanë refuzuar t’i përgjigjen kërkesës së Serbisë për bashkëpunim për këtë rast pasi atje po bëhet kinse po hetohet kjo ngjarje. (A2 Televizion)