
Vendimi i kryeministrit Edi Rama për të mos shkarkuar Belinda Ballukun, teksa dërgoi çështjen e pezullimit të saj nga GJKKO per shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, për Sali Berishën është tregues i frikës që ka kapluar numrin një të qeverisë.
Në një postim në mediat sociale, kreu i Partisë Demokratike shkruan se Rama me vendimin e bërë publik në krah të komisioneres për zgjerimin, Marta Kos, i ka nxjerr dhëmbët drejtësisë.
“Edi Rama është i tmerruar nga Lubi Balluku dhe SMS-të që i ka dërguar Ervis Berberit për tunelin e Palloshit të gjatë. Pasi u betua se do respektojë drejtësinë ai paralajmëroi se: ‘Sa të jem unë këtu, nuk do të shihni luftëra me drejtësinë apo akuza. Por ka një kufi, kufirin kushtetues mes pushteteve të pavarura, dhe nëse lejojmë shkeljen e tij, kemi humbur diçka themelore për rendin kushtetues të republikës’. Me fjalë të tjera Rama i thot Belindën kurban po harroni mua sepse unë jam kushtetuta dhe mjerë kusht të kaloj kufirin”, tha Berisha.
Jo nga Facebook, por nga selia blu ka reaguar edhe Gazment Bardhi, i cili në një deklaratë për mediat është në një linjë me Berishën dhe pohon se Edi Rama është i shantazhuar nga Balluku, ndaj dhe nuk ka marrë vendimin për shkarkimin e saj.
“Kryeministri nuk u ngrit në lartësinë e një kryeministri europian dhe ta shkarkonte të pandehurën e SPAK-ut. Ka një arsye pse Edi Rama nuk mundet ta bëjë këtë: Belinda Balkuku e ka ulur në gjunjë dhe e shantazhin me aferat e përbashkëta të abuzimit me pushtetin”, deklaroi Bardhi.
Teksa e quan Edi Ramën si avokat të Belinda Ballukut, Bardhi shprehet se Kryeministri është në krye të çdo afere, për të cilat SPAK deri tani akuzon numrin dy të qeverisë.
“Kompaninë fituese të tunelit të LLogarasë nuk e përcaktoi apo paracaktoi Belinda Balluku, por e paracaktoi Edi Rama dhe Belidna Balluku.... Askush të mos mendojë se Edi Ramës i dhimbset Belinda Balluku. Fati i saj tashmë është përcaktuar, pro ai nuk e shkarkon atë, sepse po merr kohë për të mbrojtur veten e tij”, shtoi Bardhi.
Kreut të grupit parlamentar të PD, i njohur si mik i partnerëve ndërkombëtarë, nuk i kanë pëlqyer as qëndrimet e komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos, për të cilën thotë se di gjëra të cilat do t’i bëjë publike në të ardhmen.
“Unë e di se çfarë e detyron komisioneren që të bëhet zëdhënëse e të pavërtetës, do bëjmë gjithçka që shqiptarët dhe europianët ta mësojnë, por për sot po ndalem këtu”, shtoi Bardhi.
Bardhi u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestën e së hënës që do të zhvillohet para kryeministrisë. (A2 Televizion)
