Më shumë nga vendet e rajonit, Shqipëria ka marrë 99.3 milionë euro nga plani i rritjes së BE

Nga A2 CNN
21 Nëntor 2025, 16:42 | Ekonomi

Më shumë nga vendet e rajonit, Shqipëria ka marrë 99.3

Para se të trokasë në dyert e Bashkimit Europian, Shqipëria duhet të jetë gati. Për një “po” në vend të një “jo-je”, Shqipëria dhe shqiptarët duhet fillimisht të integrohen ekonomikisht. Në këtë drejtim, është Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor që pritet t’i japë “një dorë” vendit.

Pasi i dha “dritën jeshile” në tetor, Bashkimi Europian ka nisur të disbursojë këstin e parë prej 99.3 milionë eurosh. Sipas vendimit të komisionit, 46.2 milionë euro do të derdhën drejtpërdrejt në buxhetin e shtetit, ndërsa pjesa e mbetur do të mbështesë projektet e infrastrukturës përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor.

Shqipëria do mund të përfitojë deri në 1 miliardë euro grante dhe kredi për të financuar projekte nga i ashtuquajturi “Plani i ri i Rritjes së Ballkanit Perëndimor”.

Por në këmbim, vendi duhet të vijojë reformat. Nga klima e biznesit, te kapitali njerëzor, energjia bashkë me tranzicionin digjital e me në thelb shtetin e së drejtës... janë këto pesë drejtimet në të cilat planifikohet të shtrihen reformat në tre vitet e ardhshme. 

Bazuar në dokumentin e “komisionit”, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor do të kenë në dispozicion 6 miliardë euro, 2 prej të cilave grante dhe 4 kredi.

Bashkimi Europian vlerëson se me vënien në dispozicion të këtyre parave, vendet e rajonit mund të rrisin ekonomitë e tyre me deri në 10 për qind, duke thithur edhe më shumë investime të huaja.

Por, siç edhe Komisionerja e BE për zgjerimin, Marta Kos vuri në dukje, 2 nga 6 vendet e rajonit ende nuk kanë nisur ende të zbatojnë reformat.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos