Kryesisht nga TVSH e ushqimeve dhe pagat, në arkën e shtetit u futën gati 628 miliardë lekë deri në tetor

Nga A2 CNN
21 Nëntor 2025, 16:47 | Ekonomi

Kryesisht nga TVSH e ushqimeve dhe pagat, në arkën e shtetit u

Kryesisht nga çmimet dhe fitimet e individëve e bizneseve, në arkën e shtetit u futën gati 628 miliardë lekë deri në tetor. Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se në krahasim me janar-tetorin e shkuar, të ardhurat në buxhetin e shtetit janë zgjeruar me 37.7 miliardë lekë apo 6.4 për qind

 “Ky është niveli më i lartë i shënuar ndonjëherë dhe unë mendoj se arsyeja kryesore në këtë ecuri është strategjia për menaxhimin e të ardhurave dhe shpenzimeve”, shprehet ekspertja Eriola Hoxha.

Peshën më të madhe në rritjen e të ardhurave gjatë 10-mujorit e ka mbajtur Tatimi mbi Vlerën e Shtuar në import me plotë 199.7 miliardë lekë. Rritja e pagës për punonjësit e administratës publike por edhe aksioni i tatimeve kundër nëndeklarimit të pagave bënë që arka e shtetit të përfitonte gati 70 miliardë lekë. Pozitivisht ka ndikuar edhe taimi mbi fitimin e bizneseve.

“Kjo rritje e TVSH-së tregon qartë se konsumatorët janë aktivizuar më shumë, dhe turizmi luan një rol të rëndësishëm në këtë përmirësim", shton Hoxha.

Ndërsa shpenzimet në fund të tetorit arritën në 578.8 miliardë lekë, në rritje me 59.6 miliardë lekë në raport me janar-tetorin 2024. Megjithëse në rritje, ato u realizuan vetëm në masën e 96.2 për qind të planit. Ndikim në ecurinë e dobët të shpenzimeve kryesisht atyre kapitale që lidhen me investimet patën zgjedhjet e 11 majit, që kufizojnë shpenzimet, pasi konsiderohen në shkelje me kodin zgjedhor.

"Ndërsa të ardhurat po rriten, shpenzimet kanë qenë të kufizuara, sidomos në investimet kapitale, për shkak të periudhës zgjedhore, që ndikoi në ritmin e zbatimit të projekteve", deklaroi Hoxha.

Të ardhurat ndjeshëm më të larta se shpenzimet bënë që ekonomia e vendit të mbyllej pozitivisht me mbi 49.1 miliardë lekë të kursyera. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos