Lëvizja e fundit e Trump, SHBA drejt zhvendosjes së trupave nga Gjermania në Poloni

Nga A2 CNN
9 Maj 2026, 21:17 | Bota

Lëvizja e fundit e Trump, SHBA drejt zhvendosjes së trupave nga

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se “mund” të zhvendosë trupat amerikane nga Gjermania drejt Polonisë, ndërsa Pentagoni po përgatitet të tërheqë rreth 5 mijë ushtarë amerikanë nga Gjermania gjatë vitit të ardhshëm.

Polonia do ta dëshironte këtë,” u tha Trump gazetarëve të premten kur u pyet për mundësinë. “Ne kemi një marrëdhënie të shkëlqyer me Poloninë. Kam një marrëdhënie shumë të mirë me presidentin... Më pëlqen shumë, ndaj kjo është e mundur", u shpreh ai, shkruan A2CNN. 

Pentagoni konfirmoi më herët këtë muaj se SHBA do të tërheqë 5 mijë trupa nga bazat ushtarake në Gjermani, duke realizuar një kërcënim që Trump kishte bërë pas përplasjes me kancelarin gjerman Friedrich Merz lidhur me luftën në Iran.

Trump ka paralajmëruar më pas se Pentagoni do të “shkurtojë shumë më tepër se 5 mijë” trupa.

Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, deklaroi të mërkurën se Polonia është e gatshme të presë trupat amerikane që mund të tërhiqen nga Gjermania dhe se ai personalisht do të lobojë tek Donald Trump për t’i dërguar ushtarët drejt lindjes.

Ndërkohë, kryeministri polak Donald Tusk kishte paralajmëruar të hënën se Varshava nuk duhet “t’u rrëmbejë” trupat aleatëve.

Ministri polak i Mbrojtjes dhe kreu i Partisë Popullore Polake konservatore, Władysław Kosiniak-Kamysz, mirëpriti të shtunën deklaratat e Trump.

“Aleanca polako-amerikane është themeli i sigurisë sonë,” shkroi ai në rrjetin social X. “Polonia është e gatshme të pranojë më shumë ushtarë amerikanë për të forcuar krahun lindor të NATO dhe për të garantuar mbrojtje edhe më të mirë për Evropën.”

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos