Ali Ahmeti: As gjykatat e Millosheviçit s’do ta kishin dhënë këtë dënim për krerët e UÇK-së

Nga A2 CNN
17 Shtator 2026, 20:38 | Politikë

Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së, deklaroi se dënimi që u dha nga Gjykata Speciale për krerët e UÇK-së nuk është dhënë as nga gjykatat e Sllobodan Millosheviçit.

“As gjykata e pashistit Millosheviç nuk ka dhënë kaq dënim të lartë Po për këta bashkëluftëtarë, për të cilët dje Gjykata Speciale shqiptoi dënimin. Sigurisht që është pritur me zemëratë, me indinjatë, me reagime prej pjesës dërrmuese të shqiptarëve. Mos themi që nuk ka edhe shqiptarë që s'janë gëzuar, por janë në numër të vogël këta shqiptarë. Më së shumti këtij dënimi i është gëzuar Beogradi. Sot, edhe partitë politike maqedone kanë dalë në mbështetje për pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kështu që, kjo është shndërruar tani në një betejë midis çlirimtarëve dhe okupatorëve. Dënohen ata të cilët kanë mbrojtur pragun e shtëpisë, kanë mbrojtur familjet dhe nuk e di se si nuk e kanë marrë në konsideratë sakrificën e madhe që ka bërë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, që lufta jonë të mos shndërrohet në një luftë për spastrim të etniteteve joshqiptare në Kosovë, kur përpara tyre kanë parë fëmijë të therur me bajoneta, ku përpara tyre kanë parë bark të çarë të nënave duke ua nxjerrë foshnjet nga barku. Janë përballur me një situatë jashtëzakonisht të rëndë dhe përsëri kanë arritur që të edukojnë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ne jemi për liri, ne luftojmë për liri, ne luftojmë për ardhmëri dhe jo për hakmarrje. Dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka respektuar të tëra konventat ndërkombëtare mbi luftrat”, tha Ahmeti në një lidhje direkte me “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.

“Ky proces ka degraduar nga qëllimi. Ky proces është hapur ndaj shtëpisë së verdhë, ku aktorë antishqiptarë në Beograd kanë dashur të implikojnë tërë kombin shqiptar në këtë luftë, që edhe Shqipëria është pjesëmarrëse në akte barbare, siç ishte akuza për tregtim me organe njerëzore. Kështu që, jo vetëm Kosova, por edhe Shqipëria, edhe shqiptarët jashtë Kosovës, si në Maqedoni, që nuk janë një minoritet i vogël, duhet ta ngrenë zërin sepse u devijua ky proces nga ai i fillimit. Dik Marti mbajti ligjërata dhe arsyetoi përpara Këshillit të Evropës se gjoja shqiptarët kanë bërë luftë të pandershme dhe kanë kryer krime ndaj njerëzve të pafajshëm. Kështu që, ne duhet të udhëhiqemi nga racionaliteti tani. Ne duhet ta fitojmë këtë betejë. Betejë pas beteje lufta fitohet. Tani, beteja e radhës është që autoritetet e Kosovës e kanë përgjegjësinë të organizohen mirë në të gjitha drejtimet në diplomaci dhe në drejtësinë ndërkombëtare, që ky proces i pandershëm dhe i tjetërsuar nga qëllimi të marrë epilog, sepse Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë ushtri vullnetare e organizuar për t'u mbrojtur nga masakrat mirë të organizuara”, shtoi kreu i BDI-së, Ali Ahmeti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos