Kurti takon kreun e PDK pas dënimit të ish-krerëve të UÇK: Vendimi duhet ndryshuar në shkallën e Apelit

Nga A2 CNN
17 Shtator 2026, 17:59 | Politikë

Kurti takon kreun e PDK pas dënimit të ish-krerëve të

Një ditë pas shpalljes së aktgjykimit në shkallën e parë në Dhomat e Specializuara në Hagë, ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.

Duke e vlerësuar aktgjykimin të padrejtë, të rëndë dhe me pasoja të gjera, kryeministri Kurti theksoi se ai duhet ndryshuar pozitivisht në shkallën e Apelit. Kurti e Hamza ndanë mendimet dhe përshtypjet e tyre si dhe diskutuan se cilat do të ishin rrugët e mënyrat që duhet ndjekur përpara për të korrigjuar vendimin e djeshëm.

Kryeministri Kurti dhe kryetari Hamza u zotuan për komunikim të rregullt dhe të drejtpërdrejtë për çështjet e interesit publik, shtetëror dhe kombëtar.

“Rezistenca e popullit tonë dhe lufta çlirimtare, përveçse të drejta, ishin të domosdoshme në rrugën për liri dhe pavarësi. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte përgjigje organizative e shqiptarëve ndaj një regjimi shtetëror shtypës sikurse ai i Jugosllavisë së Serbisë së Millosheviçit, që i ka të dokumentuara krimet: nga represioni sistematik deri te aparteidi, nga mohimi i të drejtave themelore njerëzore e qytetare deri te spastrimi etnik dhe gjenocidi”, thuhet në njoftimin e kryeministrit Kurti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos