"M'u duk mizori ndaj Thaçit", ish-hetuesja e Millosheviçit: Ndihmoi në krijimin e kësaj gjykate kur ishte President

Nga A2 CNN
17 Shtator 2026, 19:37 | Politikë

Nevenka Tromp, ish-anëtare e ekipit hetimor në tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavinë, pas vendimit të Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së, u shpreh se iu duk mizor që gjyqtari përmendi rrethanë lehtësuese ndaj Thaçit faktin që ai bëri gjithçka që mundi kur ishte President për ta krijuar Gjykatën Speciale.

“Unë u trondita nga ajo që e konsiderova mizorinë e gjyqtarit kryesues, Charles Smith, kur ai përmendi tri gjëra që, sipas meje, ilustrojnë thelbin e pyetjes suaj. Si do të lidhet rekordi historik dhe drejtësia tranzicionale pas luftës me faktin se një ish-drejtues i UÇK-së dhe ish-president i Kosovës është dënuar me 25 vjet burg? Kjo, de facto, për një president si Thaçi, i cili tashmë është në të 60-at, nënkupton një dënim të përjetshëm. Dhe përballë kësaj, nuk pati asnjë president të palës serbe, madje asnjë politikan, me përjashtim të Sainoviçit, i cili ishte krahu i djathtë i Millosheviçit kur bëhet fjalë për krimet në Kosovë. Ai u shpall fajtor për krimet dhe rolin e tij politik në to. Dhe e dini çfarë më dukej krejtësisht mizore? Kur po lexoheshin rrethanat lehtësuese që gjykata mori parasysh në përcaktimin e dënimit, gjyqtari kryesues tha se një nga faktorët lehtësues ishte fakti që Presidenti Thaçi, kur ishte president i Kosovës, bëri gjithçka që mundi për krijimin e kësaj gjykate, përballë një rezistence të madhe të brendshme”, tha Tromp në një intervistë për “Rreth e Qark” në A2CNN.

“A mund ta imagjinoni? Një president i një shteti të mëparshëm, ish-presidenti i Kosovës, ndihmon në krijimin e kësaj gjykate dhe më pas akuzohet, gjykohet dhe dënohet me atë që, për shkak të moshës së tij, mund të jetë praktikisht burgim i përjetshëm. Dhe ju e dini, presidentët e tjerë që po e shohin këtë nga shtete ku situata është gjithashtu shumë e brishtë – po flas për Ukrainën dhe Zelenskyn – duhet të shqetësohen për këtë”, shtoi Tromp.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos