Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, tha se pret që vendimet e Gjykatës Kushtetuese sa i përket konstituimit të Kuvendit të Kosovës të respektohen dhe zbatohen nga udhëheqësit politikë.
Këto deklarata ai i bëri pasi u takua me kreun e Gjykatës Kushtetuese, Nexhmi Rexhepi.
Kushtetuesja ka vendosur masë të përkohshme nga 5 shtatori deri më 30 shtator, duke ua ndaluar deputetëve të ndërmarrin veprime dhe duke ndaluar zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Gjykata më e lartë në Kosovë është duke e trajtuar kërkesën e dorëzuar nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – lidhur me çështjen e zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit nga radhët e komuniteteve joshumicë.
“Mbretëria e Bashkuar pret që vendimet e Gjykatës Kushtetuese që lidhen me formimin e Kuvendit të respektohen dhe zbatohen nga udhëheqësit politikë në mënyrë që t’i jepet fund ngërçit në të cilin është futur Kosova që një kohë të gjatë dhe në mënyrë që Kuvendi dhe Qeveria e re të mund të nisin punën në interes të popullit të Kosovës. Puna e Gjykatës është vitale në mbrojtjen e Kushtetutës së Kosovës. Pavarësia është thelbësore për punën e Gjykatës”, tha ambasadori Hargreaves përmes një postimi në Facebook.
Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, por edhe grupi i deputetëve të pakicave joserbe kanë dorëzuar komente në Kushtetuese, duke kërkuar nga gjykata më e lartë në Kosovë që të shpallë të papranueshme çështjen e Listës Serbe.
Pas vendosjes së masës së përkohshme, kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe zyrtarë të LVV-së, përfshirë nënkryetarin, Glauk Konjufca, e kanë kritikuar Kushtetuesen për njëanshmëri, duke thënë se ajo është e afërt me partitë shqiptare që mandatin e kaluar ishin në opozitë.
Bashkimi Evropian ka bërë thirrje për mosndërhyrje në punën e Kushtetueses, ndërkaq, Ambasada gjermane në Prishtinë po ashtu u bëri thirrje aktorëve politikë dhe institucioneve ta respektojnë Gjykatën Kushtetuese dhe të përmbahen nga sulmet ndaj saj.
Lista Serbe beson se janë kryer shkelje kushtetuese pasi kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha – nga LVV-ja – i ka hedhur në votim ndaras kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga minoriteti joserb dhe ai serb.
Kjo parti, që ka në Kuvend ka 9 nga 10 vendet e rezervuara për serbët, këmbënguli ta propozonte vetëm Sllavko Simiqin edhe pasi ai dështoi t’i merrte 61 votat e nevojshme pas tri rundeve të votimit.
Kur ajo nuk pranoi të propozonte dikë tjetër për nënkryetar, Basha vendosi të hidhte short, sipas Rregullores së punës së Kuvendit, për të nxjerrë një emër tjetër nga komuniteti serb.
Përveç të gjithë deputetëve të Listës Serbe, për këtë post u propozua edhe Nenad Rashiq nga partia serbe Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë. As Rashiq nuk i mori votat e nevojshme.
Basha e shpalli njëanshëm të përfunduar konstituimin e Kuvendit, pavarësisht moszgjidhjes së nënkryetarit të pestë./ REL (A2 Televizion)