Lista Serbe fitoi në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, por bashkëpunimi me institucionet qendrore mbetet i pasigurt.
Analistët nënvizojnë se bashkëpunimi mes autoriteteve lokale dhe qendrore është thelbësor për zhvillim, qasje në fonde dhe projekte kapitale.
Tensionet mes Listës Serbe dhe partive shqiptare janë të larta që nga sulmi në Banjskë.
Pavarësisht pritjeve të Bashkimit Evropian se autoritetet e reja lokale në veri të Kosovës do të bashkëpunojnë me institucionet qendrore në interes të qytetarëve, një gjë e tillë nuk është e sigurt.
Sipas rezultateve preliminare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lista Serbe fitoi me shumicë votash në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Këto komuna me shumicë serbe u udhëhoqën nga kryetarë shqiptarë që nga maji i vitit 2023, pasi Lista Serbe - partia më e madhe serbe në Kosovë - u largua nga institucionet e vendit në nëntor të vitit 2022.
Arsye për këtë ishin pikërisht mosmarrëveshjet me Qeverinë e Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, përkatësisht vendimi i saj për të hequr nga përdorimi targat serbe të makinave.
Lista Serbe, ndërkohë, vazhdoi të kritikonte gati çdo veprim të Qeverisë në komunat në veri të Kosovës, duke pretenduar se ato merreshin në “dëm” të komunitetit serb.
Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga Kurti, u përpoq ta pengonte Listën Serbe të merrte pjesë në zgjedhjet parlamentare të shkurtit dhe në zgjedhjet lokale të këtij muaji, pasi anëtarët e saj në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve refuzuan të votonin për certifikimin e saj.
Radio Evropa e Lirë pyeti Listën Serbe nëse udhëheqja e re lokale në komunat në veri të Kosovës do të bashkëpunonte me institucionet qendrore të Kosovës, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.
Pyetjes së njëjtë nuk iu përgjigj as Qeveria në detyrë e Kosovës.
Por, në një komunikatë dërguar mediave më 22 tetor, Lista Serbe tha se pret që, pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve lokale, “puna normale e komunave, sidomos në veri, të mundësohet pa pengesa nga Prishtina”.
Njoftimi u bë pasi zyrtarët e Listës Serbe u takuan në Prishtinë me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, me të cilin thuhet se u diskutua situata politike dhe e sigurisë, si dhe zgjedhjet e fundit.
Në një përgjigje me shkrim për REL-in, një zëdhënës i Bashkimit Evropian deklaroi se BE-ja pret që autoritetet e sapozgjedhura komunale në veri të Kosovës, në bashkëpunim me institucionet qendrore, “t’i adresojnë në mënyrë konstruktive nevojat dhe kërkesat e popullsisë përmes institucioneve dhe në përputhje me ligjin”.
Po sipas tij, BE-ja pret edhe “një tranzicion të rregullt të qeverisjes lokale në komunat veriore”, pasi të konfirmohen rezultatet e zgjedhjeve lokale.
Pse është i rëndësishëm bashkëpunimi mes autoriteteve lokale dhe qendrore?
Ish-ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë, Sadri Ferati, thotë për Radion Evropa e Lirë se bashkëpunimi mes autoriteteve lokale dhe qendrore është thelbësor për zhvillimin e një komune, sepse burimet kryesore vijnë nga Qeveria e Kosovës.
Ka fonde që ndahen në bazë të numrit të banorëve të një komune dhe nevojave të tyre, si dhe fonde të veçanta për investime kapitale.
“Mundësitë që komunat t’i kenë fondet e tyre janë të kufizuara, andaj bashkëpunimi mes autoriteteve lokale dhe qendrore është i nevojshëm për të investuar në projekte zhvillimore”, thekson Ferati.
Ai shton se komunat, aktualisht, kanë në dispozicion buxhetin që kanë marrë, por se e kanë të nevojshme të planifikojnë projekte dhe investime të reja.
“Qeveria qendrore është e detyruar t’ua përcjellë një pjesë të fondeve komunave”, thotë Ferati, duke shtuar se bashkëpunimi mes komunave, ministrive dhe Qeverisë është i detyrueshëm edhe me ligj.
“Nuk duhet luajtur me institucionet dhe interesat e qytetarëve”
Qeveria e re e Kosovës nuk është formuar ende pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, për shkak të krizës politike që ka pasuar.
Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit i fitoi zgjedhjet, por jo me mjaftueshëm vota sa për të qeverisur e vetme.
Kurti tha më 21 tetor se mund të mos jetë në gjendje të formojë një qeveri të re dhe se alternativë është mbajtja e zgjedhjeve të reja.
Nga dhjetë vendet e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës, Lista Serbe fitoi nëntë në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Pavarësisht kësaj, nënkryetar i Kuvendit nga komuniteti serb u zgjodh Nenad Rashiq nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, ndaj edhe Lista Serbe u ankua në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Ferati thotë se zyrtarët nga Lista Serbe dhe Vetëvendosja, deri më tani, janë udhëhequr kryesisht nga vendimet politike, por se ata, si udhëheqës të institucioneve lokale ose qendrore, duhet të bashkëpunojnë.
“Nuk duhet luajtur me institucionet dhe interesat e qytetarëve… kryetarët e rinj të komunave duhet të bashkëpunojnë me autoritetet qendrore, por edhe autoritetet qendrore duhet ta pranojnë bashkëpunimin me udhëheqësit komunalë. Të gjithë duhet të sillen me respekt të ndërsjellë”, thotë Ferati.
Miodrag Milliqeviq, nga organizata joqeveritare Aktiv në Mitrovicë të Veriut, thotë se, viteve të fundit, nuk ka pasur as bashkëpunim minimal midis Listës Serbe dhe Qeverisë së udhëhequr nga Vetëvendosja, dhe se është “pothuajse e pamundur” të imagjinohet ndonjë bashkëpunim në të ardhmen.
“Kemi një numër treguesish për mungesë koordinimi dhe mungesë kapaciteti politik për një përgjegjësi të tillë. Është e vështirë të imagjinohet një lloj normalizimi...”, thotë Milliqeviq për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se pret një presion më të madh nga bashkësia ndërkombëtare për t’i shmangur tensionet e reja.
Tensionet në veri të Kosovës ishin të larta që kur serbët u larguan nga institucionet.
Ato kulmuan në shtator të vitit 2023, kur një grup serbësh sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, duke vrarë një polic.
Përgjegjësinë për këtë sulm e mori nënkryetari i atëhershëm i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, nga i cili partia e tij nuk u distancua kurrë në mënyrë të qartë.
Pikërisht për shkak të sulmit në Banjskë, bashkëpunimin me Listën Serbe e kanë shmangur edhe partitë e tjera shqiptare./ REL (A2 Televizion)