Britania e Madhe zgjat praninë ushtarake në Kosovë deri në vitin 2028, Starmer: Angazhimi ynë për paqe në Ballkan është i palëkundur

Nga A2 CNN
22 Tetor 2025, 15:51 | Politikë

Britania e Madhe zgjat praninë ushtarake në Kosovë deri në

Forcat e Armatosura Britanike do të vazhdojnë të mbështesin misionin paqeruajtës të udhëhequr nga NATO në Kosovë për të paktën edhe tre vite të tjera, deri në dhjetor 2028, duke thelluar rolin e Mbretërisë së Bashkuar si një prej kontribuuesve kryesorë të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, shkruan A2 CNN.

Mbretëria e Bashkuar është pjesë e misionit KFOR që nga viti 1999, kur trupat e NATO-s hynë në Kosovë për të sjellë paqe dhe siguri pas konfliktit të viteve ’90. Angazhimi britanik përfshin një forcë rezervë prej qindra ushtarësh që mund të dislokohen në Kosovë me njoftim të shkurtër nëse kërkohet. Dislokimi i fundit madhor i trupave britanike ndodhi në vitin 2023, pas një sulmi të dhunshëm ndaj policisë në veriun e Kosovës.

Mbështetje e fortë për NATO-n dhe Ballkanin

Ky vendim është në përputhje me strategjinë e qeverisë britanike “NATO first”, të përcaktuar në Rishikimin Strategjik të Mbrojtjes, dhe synon të forcojë sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Njoftimi u bë në të njëjtën ditë kur Kryeministri Keir Starmer po pret në Londër Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor, ku po diskutohet bashkëpunimi i ngushtë për të përballuar sfidat e përbashkëta, përfshirë migracionin e parregullt.

“Angazhimi i Mbretërisë së Bashkuar për paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor mbetet i palëkundur. Duke zgjatur mbështetjen tonë për Forcën e Kosovës të NATO-s, po tregojmë rolin tonë si aleat i fortë dhe i përgjegjshëm i NATO-s, në mbrojtje të vlerave të stabilitetit dhe demokracisë”, tha Starmer.

Ai shtoi se bashkëpunimi me partnerët e Ballkanit Perëndimor është thelbësor jo vetëm për paqen rajonale, por edhe për sigurinë kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar.

Britania e Madhe zgjat praninë ushtarake në Kosovë deri në

Një partneritet i qëndrueshëm me Kosovën

Mbretëria e Bashkuar ka qenë shteti i parë që njohu pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, dhe që nga ajo kohë ka mbajtur një bashkëpunim të ngushtë me institucionet e saj.

Misioni ndërkombëtar i NATO-s, i mbështetur nga mbi 30 shtete, u krijua pas fushatës 78-ditore ajrore të NATO-s kundër ish-Republikës Federale të Jugosllavisë në vitin 1999, me qëllim të parandalimit të një katastrofe humanitare në Kosovë.

Nisma e re për trajnimin e vendeve të Ballkanit

Ministria Britanike e Mbrojtjes do të nisë në fillim të vitit 2026 një kurs të ri trajnimi për vendet e Ballkanit Perëndimor, me qëllim ndërtimin e kuptimit të përbashkët për mbrojtjen e jetëve të civilëve dhe rolin e grave në mbrojtje dhe siguri.

Në këtë program do të ftohen të marrin pjesë Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Trajnime të tilla, sipas Ministrisë, janë ndër mënyrat më efektive për parandalimin e konflikteve dhe për krijimin e rrjeteve profesionale bashkëpunimi në rajon.

Britania e Madhe zgjat praninë ushtarake në Kosovë deri në

Vlerësim për trupat britanike

Ministri për Forcat e Armatosura, Al Carns, vlerësoi kontributin e ushtarëve britanikë në misionin KFOR: “Trupat tona kanë kryer qindra operacione ndër vite në mbështetje të KFOR-it, dhe ky zgjatim i angazhimit tonë do ta bëjë Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor më të sigurt. Ruajtja e paqes është një pjesë thelbësore e përkushtimit tonë për ta mbajtur Mbretërinë e Bashkuar të sigurt në shtëpi dhe të fortë jashtë saj”.

Forcat britanike kanë përmirësuar ndjeshëm aftësitë e inteligjencës, survejimit dhe zbulimit të KFOR-it, duke rritur ndjeshëm ndërgjegjësimin operacional të komandantëve të misionit dhe duke ndihmuar në sigurimin e një mjedisi të qëndrueshëm për të gjithë popullsinë e Kosovës.

Ky angazhim financohet përmes Fondit të Sigurisë së Integruar të qeverisë britanike, i cili mbështet përballimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë mes Mbretërisë së Bashkuar dhe partnerëve të saj.

KFOR mbetet një nga garantët kryesorë të sigurisë në Kosovë, me pjesëmarrjen e më shumë se 30 shteteve, përfshirë Italinë, Turqinë, Poloninë, Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos