Anëtarësimi i Kosovës në KiE: S’ka progres as këtë vit, asociacioni nuk shkoi në Kushtetuese

Nga Rosalba Bejdo
1 Prill 2025, 20:30 | Politikë

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë e bëri të qartë se Kosova nuk do të mund të anëtarësohet në Këshillin e Europës as këtë vit, pa dërgimin e draftstatutit, të propozuar nga Bashkimi Evropian, për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Gjykatë Kushtetuese.

Në një prononcim për “Kosovapress”, ambasada thotë se topi është në anën e Kosovës dhe nëse bëhen hapat e nevojshëm para mbledhjes së ministerialit të radhës të KiE-së, agjenda mund të ndryshohet për të përfshirë votimin e anëtarësimit të Kosovës në organizatën lidere në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

“Ne kemi qenë të qëndrueshëm dhe transparentë, së bashku me partnerët tanë, në përcaktimin e hapit thelbësor të nevojshëm për të siguruar shumicën: Dorëzimin e draftit Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Fatkeqësisht, ky hap thelbësor ende nuk është ndërmarrë. Tani topi është në fushën e Kosovës, siç është theksuar në letrën e majit 2024 nga Presidenti Macron, kancelari Scholz dhe kryeministrja Meloni”, thotë Christian Boettcher, zyra për komunikim në Ambasadën Gjermane.

Në anën tjetër, në Ministrinë e Punëve të Jashtme presin që aplikimi i Kosovës të trajtohet gjatë këtij viti, ndërsa theksoi se vendi ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara për anëtarësim. Por, njohësit e marrdhënieve ndërkombëtar janë skeptik se mund të ketë progres në këtë drejtim.

Dritëro Arifi u shpreh: “Unë po mendoj se jemi shumë vonë dhe tani nuk është vendim i duhur pasi kanë ndryshuar rrethanat. Qeveria e Kosovës, kushdo që të bëjë qeverinë duhet të ketë kujdes se çka po bëjmë dhe çka po marrim. Duhet pasur shumë iniciativa diplomatike konkrete se si duhet të lëvizet tutje. Topi është në anën tonë, por jo i tëri. Varet nga disa elemente që do të ndryshojnë politikën globale dhe ku jemi ne varet nga konsistenca jonë në përmbajtje dhe jo vetëm në numra”.

Institucionet në Kosovë nuk e kanë pranuar draftstatutin e hartuar nga Bashkimi Evropian për Asociacionin dhe janë shprehur kundër dërgimit të tij për vlerësim në Gjykatë Kushtetuese. Madje, ditë më parë, Presidentja Vjosa Osmani tha se drafti është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe vlerat evropiane.

Vitin e kaluar, një ditë para mbledhjessë Komitetit të Ministrave, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, përmes një letre adresuar Presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të KiE-së, dha zotimin se Kosova do ta hartojë dhe dërgojë një draft në Kushtetuese, por jo atë të BE-së. Mirëpo një gjë e tillë nuk u pranua, e rrjedhimisht çështja e Kosovës nuk u vendos në rend dite. Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës në vitin 2022.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos