Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 15 prillin si datë për mbajtjen e seancës konstituive të përbërjes së re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e rregullta të 9 shkurtit. Njoftimin e bëri presidenca përmes një deklarate.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pas certifikimit të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025 dhe në përputhje me autorizimet kushtetuese dhe afatet ligjore, ka thirrur mbledhjen e parë të Legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës për datën 15 prill 2025”, njofton presidenca.
Ky është hapi i parë konkret në formimin e institucioneve të reja të shtetit, pas certifikimit të rezultateve zgjedhore nga KQZ. Presidentja kishte afat që brenda 30 ditësh të shpallte datën për mbajtjen e seancës. Në të kundërtën, sipas Rregullores të punës së Kuvendit të Kosovës, Parlamenti do të mblidhej vetë në ditën e 30-të.
Në këtë seancë deputetët bëjnë betimin dhe partia e parë, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje, propozon kandidatin për kryetar të Kuvendit. Hapi pasues është formimi i qeverisë së re, por rezultati I zgjedhjeve nënkupton se asnjë parti nuk mund ta formojë e vetme atë.
Sipas ligjeve, Osmani duhet të mandatojë për krijimin e Qeverisë së re partinë e parë në zgjedhje, në këtë rast LVV-në. Në Kushtetutë thuhet se mandatari më pas ka 15 ditë kohë që të paraqesë përbërjen e re të ekzekutivit para Kuvendit dhe të kërkojë 61 vota që ajo të konfirmohet.
(A2 Televizion)