Marrëveshja ushtarake, Maqedonci: Nuk drejtohet kundër Serbisë

Nga Erjon Dervishi
31 Mars 2025, 23:19 | Politikë

Marrëveshja ushtarake midis Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë nuk është një kërcënim për Serbinë. Kështu është shprehur Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci. Në një intervistë për mediat në Kroaci, Maqedonci theksoi se Serbia vazhdimisht synon të mbajë rajonin në tension dhe pasiguri, shkruan A2. 

“Serbia vazhdimisht synon të mbajë rajonin në tension dhe pasiguri. Në fakt, shtetet që janë të bashkuara përmes kësaj marrëveshjeje janë të orientuara nga paqja, siguria dhe integrimi euroatlantik. Ajo që ndodh në Kosovë është përgjigje ndaj përpjekjeve për ruajtjen e stabilitetit dhe nuk është kërcënim ndaj askujt”, deklaroi Maqedonci.

Maqedonci ka konfirmuar se NATO është informuar zyrtarisht për këtë marrëveshje. Ai ka shtuar se kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të partneritetit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, që përkon me orientimin strategjik të Kosovës dhe mbështetjen e aleatëve, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

“NATO është informuar zyrtarisht dhe përmes Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, përkatësisht Forcës së Sigurisë së Kosovës, meqë ne jemi në proces të thellimit të bashkëpunimit me NATO-n dhe shtetet anëtare të saj. Ky është një hap drejt thellimit të bashkëpunimit dhe zgjerimit të partneritetit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes”, theksoi Ejup Maqedonci.

Më tej, në intervistë Maqedonci ka deklaruar se inteligjenca ruse është e përfshirë në strukturat ilegale serbe në veri të Kosovës. Ai ka theksuar se ndikimi rus është rritur që nga fillimi i agresionit në Ukrainë, duke përbërë kërcënim të vazhdueshëm për Ballkanin Perëndimor.

“Janë të dokumentuara tashmë lidhjet Serbi-Rusi përmes Qendrës Humanitare në Nish dhe aktiviteteve të inteligjencës. Ne nuk kemi asgjë kundër qytetarëve serbë, por lidershipi në Beograd luan me frikën për qëllime të brendshme politike. Kjo retorikë destabilizuese ka për qëllim të ndalojë integrimin euroatlantik të rajonit”, ka shtuar ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos