Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas sulmit në zyrat e Postës së Kosovës në Zveçan, duke e cilësuar si sulmin me elemente terroriste.
Kurti ka shkruar në Facebook se ky akt dhune është një orvatje për të cenuar sigurinë dhe për të penguar integrimin e qytetarëve në sistemin ligjor dhe institucional të Republikës së Kosovës.
“Brengosëse në këtë situatë mbetet fakti se individë të njohur për lidhjet e tyre me grupe kriminale dhe terroriste, si Millan Radoiçiç, vazhdojnë të mbeten të lirë, e po strehohen dhe po shfrytëzohen nga pushteti në Serbi për qëllime shoviniste. Qëndrimi në liri i kriminelit Radoiçiç dhe mosdorëzimi i tij autoriteteve të shtetit tonë është një mesazh i rrezikshëm që inkurajon kriminelë e terroristë, ekstremistë të ndryshëm, që të vazhdojnë veprimet e tyre me tendencë destabilizuese”, ka shkruar Albin Kurti. (A2 Televizion)