“Anëtarësimi i Kosovës në NATO, çështje urgjente!” Kurti: Aktet terroriste, jo nga burime të brendshme

Nga A2 CNN
20 Dhjetor 2024, 13:20 | Politikë

“Anëtarësimi i Kosovës në NATO, çështje

Kryeministri Albin Kurti e cilësoi çështje urgjente anëtarësimin e Kosovës në NATO. Në fjalën e tij në seancën e përbashkët të dy kuvendeve në Prishtinë, kreu i qeverisë së Kosovës tha se FSK është në lartësinë e detyrës që kërkojnë standardet e aleancës euroatlantike dhe Kosova po bën hapa gjigantë drejt anëtarësimit.

“NATO është në Kosovë, por Kosova nuk është në NATO. Kosova po bën hapa gjigantë drejt NATO-s. NATO nuk ka armatim të vetin por të shteteve anëtare. Për dallim nga viti 2018-2020 kur kishim më pak se 4 mln euro investim në armatim në vitin 2022 -2023 kemi mbi 239 mln euro investim në armatim e municion. Ne do të anëtarësohemi që të bëhemi më të fortë dhe nga NATO të përfitojmë si edhe do të kontribuojmë. Agresioni rus në Ukrainë, rindezja e konfliktit në Lindjen e Mesme, sulmet terroriste në Kosovë Banjskë e Ibër Lepence që vijnë nga Serbia dhe Rusia bashkë e kanë bërë çështje urgjente anëtarësimin e Kosovës në NATO. FSK është në lartësinë e detyrës që kërkojnë standardet e aleancës dhe ne besojmë”.

Si një vend i NATO-s, Kurti theksoi se Shqipëria është në krahun e Kosovës për anëtarësimin e saj dhe përmendi tejkalimin e kriterit të vendosur për pranim.

"Vendet tona kanë nevojë si për BE si për NATO-n. Ne na gëzon fakti që Shqipëri është vend i NATO-s dhe kandidate e BE. Kosova ka dorëzuar aplikimin për në NATO. Shqipërinë e kemi në krahun tonë për të tejkaluar pengesat politike për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Tejkalojmë kriterin prej 2% të produktit bruto vendor që kur është përcaktuar si kriter në samitin e Uellsit”.

Gratë, rinia, diaspora dhe fshati janë 4 pika thelbësoret që sipas kreut të qeverisë së Kosovës të dy vendet duhet t’u kushtojnë rëndësi.

 “Edhe në Kosovë e Shqipëri duhet t’i kushtojmë rëndësi 4 kategorive shoqërore; aktivizimit e të drejtave të grave, rinisë që është energjike e shumëgjuhëshe si asnjë në Ballkan, Diasporës që është më e madhe dhe patriotike si asnjë në Ballkan dhe zhvillimit të fshatit e malësive tona”.

Kurti përjashtoi burimet e brendshme që cenojnë sigurinë dhe destabilitetin e Kosovës dhe tha se ka shtrirë sovranitetin në veri, ndërsa aktet e tyre terroriste janë dëshpërimi e fundi i tyre.

“Në Kosovë rritja ekonomike ishte më e madhe që kur kemi shpallur pavarësinë. Kemi shtrirë sovranitetin në veri të Kosovës. Sot mund të ketë akte terroriste, por jo burime të brendshme që cenojnë sigurinë apo destabilitetin. Terrorizmi i paramilitare është shprehje e pafuqisë së tyre. Aktet e tyre terroriste janë dëshpërimi e fundi i tyre”.

Në fund të fjalës së tij Kurti u shpreh i sigurt se pavarësisht reformimit të dy kuvendeve vitin e ardhshëm mbledhjet e përbashkëta do të jenë me të njëjtën frymë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos