Kosova me 1.6 milionë banorë rezidentë, Kurti: Kjo është pasqyrë e realitetit tonë

Nga A2 CNN
19 Dhjetor 2024, 20:51 | Politikë

Kosova zyrtarisht ka 1,602, 515 banorë rezidentë. Prej tyre 50.2% janë meshkuj dhe 49.8% janë femra. Mosha mesatare e popullsisë është 34.8 vjet. Të dhënat përfundimtare u publikuan të enjten nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Në krahasim me regjistrimin e fundit që ishte bërë më 2011, të dhënat tregojnë për rënie të numrit të banorëve për mbi 137 mijë si dhe një plakje të popullsisë prej 5 vitesh.

Në numrin përfundimtar u përfshin edhe përllogaritjet për numrin e serbëve që jetojnë në komunat veriore të cilët e në masë të madhe e bojkotuan procesin. Në atë pjesë, u regjistruan vetëm mbi 6 mijë serbë.

Përllogaritja është bërë në bazë të praktikave më të mira ndërkombëtare dhe nga ekspertë të huaj. 

“Ne kemi ardhur në përfundim se në pjesën veriore të Kosovës jetojnë rreth 24 mijë banorë atje dhe iu bashkangjitur pjesës që ka qenë të regjistruar. Andaj ishte ai numri 1 milion e 602 mijë totali i tërë Kosovës”, tha Avni Kastrati.

Shqiptarët vijojnë të jenë dominues me rreth 92% të popullsisë, pasuar nga serbët me 2.3%, boshnjakët 1.7%, e më pas në përqindje më të ulët edhe turqit, ashkalinjtë, egjiptianët e romët. 

Sa i përket përkatësisë fetare, myslimanët janë dominues me rreth 93.5%, pasuar nga ortodoksët 2.3%, që kanë shënuar edhe rritjen më të madhe në krahasim më vitin 2011, si dhe katolikët me 1.75%. Numër në rritje ka qenë edhe të personave që janë deklaruar si ateist. 

Për herë të parë, u regjistruan edhe dëmet e luftës por që për Agjencinë e Statistikave të dhënat nuk janë të sakta.

“Gjatë intervistës që është zhvilluar në ekonmi familjare, nëse një ekonomi familjare ka qenë e dëmtuar por është shpërngulur jashtë Kosovës në Gjermani, në Amerikë në Australi, na nuk kemi mundur t'i marrim të dhënat për atë ekonomi familjare që nënkupton ka më shumë njerëz, ka më shumë dëme”, shtoi zyrtari i ASK, Kastrati.

Sipas të dhënave, për periudhën shkurt 1998 - qershor 1999, rreth 11.500 njerëz janë vrarë, mbi 1 mijë janë të zhdukur, mbi 6 600 të plagosur dhe mbi 3.300 të burgosur.

Mbi 154 mijë ekonomi familjare kanë pësuar dëme në pronë gjatë luftës, ndërsa vlera e dëmit konsiderohet mbi 5 miliardë euro. 

Kryeministri Albin Kurti deklaroi se të dhënat përfaqësojnë bazën për të hartuar dhe zhvilluar politika të cilat i adresojnë nevojat reale të qytetarëve.

“Regjistrimi i popullsisë është më shumë sesa mbledhje e statistikave, ajo është një pasqyrë e qartë e realitetit tonë, kush jemi, ku jemi, sa jemi, si jemi dhe si mund të ecim përpara. Të dhënat e regjistrimit janë thelbësore për të gjitha aspektet e planifikimit dhe zhvillimit kombëtar”, tha kryeministri Kurti.

Të dhënat tregojnë se në Kosovë popullsia ka dominim të madh të banesave në pronësi me 92.8%, ndërsa vetëm 5.3% jetojnë me qira.

Aktualisht regjistrimi për diasporën është duke vazhduar dhe deri më tani u tha se janë regjistruar 550 mijë persona. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos