Lëvizja Vetëvendosje konsideron se institucionet e Kosovës janë të afta vet për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe jo të imponohet përmes një draft statuti nga Bashkimi Europian.
Pas kërkesës së BE-së që draft statuti të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese, partia në pushtet kërkon që obligimet që rrjedhin nga marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit janë të afta t’i përmbushin institucionet sovrane pasi ato të nënshkruhen, shkruan A2.
“Kosova është vend sovran dhe ka të gjitha institucionet e veta të cilat janë në gjendje, të afta dhe natyrisht kanë edhe kompetencën dhe obligimin kushtetues që t’i kryejnë punët e veta”, tha Mimoza Kusari – Lila.
Lidhja Demokratike e Kosovës kritikoi Qeverinë duke thënë se përmes marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, ka shkelur rendin kushtetues të Kosovës, ndërsa me deklarimet rreth themelimit të Asociacionit po e dëmtojnë shtetin.
“Njëherë thonë e pranojmë, herën tjetër s’e pranojnë. Njëherë thonë të nënshkruajmë, pastaj thonë duhet të dyja. Mandej bëhet obligim i BE-së dhe thonë jo tash s’e pranojmë. Po bëhen lojëra të cilat po e dëmtojnë në vazhdimësi Kosovën si rezultat i papjekurisë politike, paaftësisë diplomatike dhe mendjemadhësisë në sjellje”, thotë Arben Gashi, shef i grupit të LDK.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se krerët e shtetit janë zotuar për themelimin e Asociacionit zyrtarisht përmes një letre dhe nuk ka alternativë tjetër.
“Asociacionin këta munden me thënë se është non-paper apo jo. Por është pranuar nga qeveria dhe po e them me përgjegjësi të plotë na kanë lënë të dera. Kushdo që vjen, kjo qeveri na ka lënë te dera marrëveshjen e Brukselit, aneksin e Ohrit dhe draft-statutin e Asociacionit”, u shpreh Besnik Tahiri
shef i grupit të AAK.
Ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se ai nuk është personi i duhur për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe pavarësisht se në të kaluarën ishte vetofruar për të shkruar draft-statutin e këtij mekanizmi.
(A2 Televizion)