BE nis heqjen e masave! Kallas: Kujdes me veriun, me Serbinë jeni të barabartë

Nga A2 CNN
22 Maj 2025, 20:09 | Politikë

Bashkimi Europian ka nisur heqjen graduale të masave ndëshkueseve që i kishte vendosur Kosovës dy vite më parë pas tensioneve në katër komunat veriore. 

Lajmi u dha nga Përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas në nisje të vizitës së saj në Kosovë.

Kallas nuk dha detaje se cilat janë masat konkrete që do të largohen fillimisht apo se kur ato do të hiqen plotësisht, por e lidhi procesin me zhvillimet në veri. 

“Mund të njoftoj se BE ka filluar të heq gradualisht masat që kanë hyrë në fuqi në qershor të vitit 2023. Vendimi hap derën për mundësi të reja për zhvillimin e Kosovës dhe lidhjet me Europën. Por është i rëndësishëm de-eskalizimi në veri. Ndalimi i strukturave që mbështeten nga Serbia në veri minon përpjekjet për de-eskalim”, tha Kallas.

Kallas konfirmoi se Marrëveshja e Ohrit është në fuqi dhe normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është në interes të dy popujve. 

Ajo dha garanci se është e gatshme të përfshihet në këtë proces por fillimisht palët duhet të ulen në tryezë për të diskutuar se si duhet të vazhdohet përpara.

“Prioritet kyç mbetet normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Jeni partnerë të barabartë në tryezë. Si Përfaqësuese e lartë e Bashkimit Europian do të mbështes procesin. Për ata që dyshojnë në proces dua t’ju bëj të qartë se normalizimi i marrëdhënieve është e vetmja rrugë për një të ardhme të sigurt dhe me prosperitet për njerëzit në këtë rajon. Stabiliteti bazohet në dialog dhe jo në konfrontim”, shtoi ajo.

Kallas nxiti partitë në Prishtinë që të zgjidhin ngërçin politik dhe të krijojnë institucionet e reja në mënyrë që të përfitojnë edhe nga mbështetja e Bashkimit Europian.

“Situata aktuale politike po mban Kosovën mbrapa. Konstituimi i Kuvendit dhe Qeverisë është kyç për rritjen e stabilitetit të Kosovës dhe të ardhmen europiane. Inkurajoj të gjithë aktorët politike të punojnë me njëri tjetrin dhe komunitetet e tjera në Kosovë. BE-ja është gati t'ju mbështesë por liderët politikë duhet të lënë anash ndarjet dhe të prioritizojnë të ardhmen e Kosovës”, tha Kallas.

Kallas tha se Kosova duhet të përfitojë nga Plani i Rritjes së BE-së por fillimisht duhet të dorëzojë axhendën e reformave.  Gjithashtu, përmendi anëtarësimin e Kosovës në Union por shtoi se nuk ka një rrugë të shkurtër në këtë proces dhe se janë të nevojshme reformat. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos