Kriza politike, Kosova pa kuvend as pas 19 përpjekjesh

Nga Ideal Gola
21 Maj 2025, 16:32 | Politikë

 

 

Telenovela me mos konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka vijuar edhe të mërkurën kur deputetët u mblodhën për të nëntëmbëdhjetën herë për të prodhuar të njëjtin rezultat.

Sërish u tentua të ngrihet komisioni për votim të fshehtë dhe partitë e tjera përpos Lëvizjes Vetëvendosje refuzuan të bëhen pjesë dhe ta votojnë të njëjtin.

“E kemi të paqartë se cila është kërkesa e opozitës në këtë situatë, është e qartë se cili është synimi dhe objektivi ynë kur vijmë secilën herë në Kuvend, vijmë për të votuar dhe për të konstituuar Kuvendin, por në situatën aktuale është tërësisht e paqartë se cila është kërkesa ose cili është qëllimi i opozitës”, tha Mimoza Kusari-Lila.

Partia Demokratike ftoi Albin Kurtin që të reflektojë dhe të ndërrojë emrin e kandidatit për kryeparlamentar.

“Realiteti politik në Kosovë është ndryshe, qytetarët kanë folur, është koha të ecim tutje. Ne nuk mundemi të suspendojmë demokracinë për shkak të tekeve të zotëri Kurtit dhe ambicieve të zonjës Haxhiu”, u shpreh Vlora Çitaku.

Lidhja Demokratike tha se nuk do të votojnë një kandidat me mendësi antikushtetuese, duke vënë theksin sërish të një marrëveshje e munguar politike.

“Nuk mund të bëhet asnjëherë kryetar i Kuvendit pa marrëveshje politike sepse kërkohen 61 deputetë, që asnjëherë nuk i kanë takuar një partie politike si tërësi. Nëse jo me partitë e tjera, është dashur të bëhet marrëveshje me partitë minoritare, sepse janë edhe nënkryetarët e tyre”, deklaroi Daorsa Xhelili.

Aleanca akuzoi Kurtin se po zvarrit qëllimshëm krijimin e institucioneve të reja në mungesë të numrave.

“Ky është në origjinë mashtrues, po i del mashtrimi, nuk e ka shumicën, s’e ka shumicën dhe po manovron me këto. Ne i kemi jap zgjidhje Kosovës jo atij dhe Vetëvendosjes duke premtuar votën tonë që në seancë të parë për kandidatë konsensualë”, tha Haradinaj.

Seanca për konstituimin e Kuvendit ka nisur më 15 prill ndërsa do të vazhdojë të premten më 23 maj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos