Kaja Kallas nesër viziton Kosovën, parashikohen takime me krerët e partive politike

Nga A2 CNN
21 Maj 2025, 20:00 | Politikë

Kaja Kallas nesër viziton Kosovën, parashikohen takime me krerët

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, e cila ka nisur sot një vizitë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke shkuar së pari në Beograd, teksa nesër pritet të arrijë në Prishtinë.

Sipas mediave të huaja, BE e ka bërë publike agjendën. Në të thuhet se kryediplomatja e BE-së do t’i takojë krerët e partive politike, pa përmendur ndonjë zyrtar të institucioneve.

“Në Kosovë, Përfaqësuesja e Lartë Kallas do të takohet me përfaqësues të partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile. Ajo do të mbajë një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Evropës më 22 maj në orën 15:45, transmetuar drejtpërdrejt në EBS. Përfaqësuesja e Lartë Kallas do të vizitojë Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX). Ajo do të takohet edhe me komandantin e KFOR-it Enriko Barduani”, thuhet në njoftimin e Brukselit, shkruan A2 CNN.

Siç mëson A2CNN, takimet e Kallas me krerë të partive do të mbahen në Zyrën e BE-së në Prishtinë, të cilat janë të ftuara në nivel të liderëve të partive dhe dy zyrtarëve të tjerë.

Javën që shkoi, Presidentja Osmani e takoi Kallasin në Tiranë në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropan, duke njoftuar se kur zyrtarja e BE-së do të vijë në Prishtinë, nuk do ta takojë, pasi do të jetë për vizitë në Zvicër. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos