Bllokimi i autobusëve nga Kosova, Stano: Serbia ka shkelur marrëveshjen për lëvizjen e lirë

Nga A2 CNN
17 Prill 2024, 16:32 | Politikë

Serbia ka shkelur lirinë e lëvizjes së shtetasve nga Kosova. Ky është reagimi i Bashkimit Europian si pasojë e bllokimit nga autoritetet serbe ndaj autobusëve të udhëtarëve nga Kosova në kufi me Kroacinë dhe Hungarinë.

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano në një prononcim për Radio Europa e Lirë, ka thënë se BE është në dijeni të situatës. Incidenti përbën një shkelje të marrëveshjes për lirinë e lëvizjes, theksoi ai. Sipas, tij, marrëveshja përcakton qartë parametrat rreth hyrjes dhe daljes së qytetarëve të Kosovës në Serbi dhe nga Serbia.

Në këtë rast BE-ja konstaton se Serbia është duke e shkelur marrëveshjen për lirinë e lëvizjes. Stano fton Serbinë që të përmbahet nga veprimet e tilla unilaterale dhe të pakoordinuara dhe t’i kthehet menjëherë respektimit të marrëveshjes. Autoritetet në Prishtinë, u kanë bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin “me çdo kusht” kalimin nëpër Serbi. 

Autoritetet serbe ndaluan të mërkurën autobusë me pasagjerë nga Kosova, në kufijtë me Kroacinë dhe Hungarinë, në atë që Kosova e cilësoi si hakmarrje ndaj mbështetjes nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin në këtë organizatë". Autoritetet në Prishtinë folën për ndalimin e policëve të kosovës, nga komuniteti serb, përfshirë edhe zëvendës drejtorin e policisë. Por Beogradi mohon akuzat se ka ndaluar autobusët me pasagjere, duke pretenduar se kanë zhvilluar kontrolle rutinë kufitare. Pas disa orësh bllokim, raportohet se ka nisur të lejohet kalimi i autobusëve.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos