Dy vite më parë, Qeveria solli në Kuvend Kodin Civil, por që nuk kaloi pasi edhe vetë deputetët e Albin Kurtit votuan kundër. Në mungesë të votave, Kodi asnjëherë nuk u risoll përkundër premtimeve nga partia në pushtet se do të bënte votat. Tema u riaktualizua edhe njëherë kur kryeministri Kurti nga Berlini tha se po punonte për një shumicë parlamentare që do të kalonte kodin. Megjithatë një prej deputetëve kundërshtues të kodit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje i kujton shefit të tij të partisë se votat kundër janë shtuar.
“Unë jam i bindur që sot ka shumë vota kundër sesa që ka pasur para dy viteve dhe kjo nuk ndërlidhet dhe nuk është kusht për asnjë integrim dhe anëtarësim. Janë me dhjetëra vende në Bashkimin Evropian të cilat nuk e lejojnë martesën mes gjinisë së njëjtë dhe natyrisht që nuk mund të ketë kushte të tilla dhe nuk është deklaruar asnjëherë prej askujt”, tha Eman Rrahmani, deputet i LVV.
Deputetët që e kundërshtojnë mendojnë se kodi i hap rrugë martesave mes gjinisë së njëjtë në njërin nga paragrafet e tij ku thuhet se “martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht mes dy bashkëshorteve...” ndërsa pasohet me nenin “bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara”.
“Unë jam më se i bindur që ky kod kurdo që provohet (të sillet), e nuk besoj që do të provojnë që të vjen në Kuvend në këtë mandat për shkak se kurdo që vjen votat do të jenë me shumicë kundër”, shtoi ai.
Për juristët, është fatkeqësi që debati për kodin ka ngelur vetëm tek një dispozitë ndërkohë që është shumë i rëndësishëm për vendin.
“Kodi civil është jeta, është përditshmëria me të cilin ballafaqohen qytetarët mbi baza të përditshme prandaj avancon në masë të konsiderueshme këtë fushë”, deklaroi Ardian Bajraktari, avokat.
Kuvendit i kërkohet që të sigurojë votat për të kaluar kodin
“Mendoj dhe vlerësoj që kodi është jashtëzakonisht i avancuar prandaj si i tillë së paku aq sa është i përcaktuar përfshirë nenin përkatës duhet të miratohet”, përfundoi avokati.
Opozita deri tani ka refuzuar t’ia sigurojë votat mazhorancës duke thënë se Lëvizja Vetëvendosje i ka numrat ta miratojë e vetme Kodin Civil. (A2 Televizion)