Degradimet në MPJD, opozita akuzon pushtetin se po bojkoton punën e komisionit hetimor

Nga A2 CNN
20 Qershor 2024, 19:52 | Politikë

Mbledhja e Komisionit hetimor parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të shërbimit të jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dështoi të mbahet për të disatën herë.

Kjo për shkak se të pranishëm ishin vetëm deputetet e PDK, LDK dhe AAK ndërsa ata të mazhorancës nuk erdhën.

Opozita akuzoi pushtetin se bojkotimi është i qëllimshëm për të penguar punën e këtij komisioni.

“E vërteta është se unë i pash, edhe deputetet e tjera i kanë parë që ata po sillen në zyre nëpër Kuvend, i pash edhe në shesh disa deputetë që janë anëtarë të këtij komisioni por nuk kanë ardhur në mbledhje dhe me këtë po shihet se nuk kanë interesim edhe më tutje”, tha deputetja Time Kadrija.

Në rend ditë ishte diskutimi rreth dokumentacionit të proceduar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës si dhe angazhimi i ekspertëve.

“Spostimi i këtyre mbledhjeve, prej një mbledhje në një mbledhje tjetër po e pengon punën sepse, përpos votimit të ekspertëve, ende nuk kemi hyrë në temë, sot është dashur të diskutohen detyrat që ia cakton ekspertëve të votuar në këtë seancë. Ne nuk mund të diskutojmë detyrat me të cilat duhet të merren për shkak se nuk kemi kuorum”, shtoi ligjvënësja e AAK.

Ky komision hetimor ishte ngritur me kërkesë të opozitës për të hetuar pretendimet e tyre për degradimet që janë bërë në Ministrinë e Punëve të Jashtme, një proces që lidhet edhe me lirimin nga detyra edhe të disa ambasadorëve që nga muaji maj i vitit 2021.
(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos