Deputeti Bekë Berisha, i AAK-së, deklaroi se kryeministri Albin Kurti “nuk ka ndihmuar” në lidhje me çështjen e gjykimit të Hashim Thaçit dhe të tjerëve në Hagë.
“Nuk e kam parë reagimin e kryeministrit, nuk kam parë as që ka ndihmuar dhe as që është marrë me këtë temë. Veç di deklaratat e tij akuzuese edhe di deponimin e fakteve të rreme prej shumë anëtarëve të kabinetit të kryeministrit kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit e Jakup Krasniqit”, tha Berisha për “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
Sipas tij, “fatkeqësisht ka shqiptarë që i gëzohen këtij vendimi”.
“Nuk e kam menduar deri para disa ditësh që ka njerëz të tillë që janë kundër lirisë së Kosovës, që janë jugonostalgjik edhe ju duket që më mirë ka qenë atëherë. Mirëpo, ne kemi qenë popull i shtypur. Është e treta herë që është bërë gjenocid edhe është provuar me u bë gjenocid ndaj popullit shqiptar”, theksoi Bekë Berisha. (A2 Televizion)