Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, pas seancës plenare të së premtes doli para mediave për të sqaruar pozicionin e saj në lidhje me disa çështje për të cilat është akuzuar.
Gërvalla, që nuk u votua nga deputetja Shqipe Selimi për postin e kryeparlamentares, për shkak të disa deklaratave të saj ndaj Rexhep Selimit, tha se nuk ka pasur asnjë kundërshtim për kandidaturën kur është diskutuar paraprakisht.
Kryetarja e Listës Guxo, dikur pjesë e LDK-së, më shumë kishte hatërmbetje me disa prej ish-bashkëpartiakëve të saj për të cilët tha se u bashkuan me serbët kundër saj.
“Ne kemi pasur një diskutim në grup parlamentar si çdoherë para çdo vendimi që marrim, nuk ka pasur debat rreth kandidimit tim. Zonja Selimi merr vendimet e saj, ajo nuk ka marr pjesë në votim për dallim nga disa të tjerë tek të cilët nuk është pritur që të bashkojnë votën me Listën Serbe dhe me PDK për të votuar kundër kandidimit tim”, u shpreh Gërvalla.
Në vitin 2020, Gërvalla e kishte cilësuar Rexhep Selimin si “njeri i botës së krimit” duke kundërshtuar propozimin e Vetëvendosjes që ai të ishte kryetar i grupit të atëhershëm parlamentar.
Ajo nuk iu përgjigj pyetjeve nëse qëndron pas atyre akuzave ndaj Selimit.
“Për asnjërin nga të akuzuarit e Hagës nuk komentoj, ndërkohë që ata ndodhen në një situatë krejt tjetër. As për zoti Selimin, as për zotëri Thaçin, as për zotëri Veselin, as për zotëri Krasniqin. Jam ende ministre e Punëve të Jashtme dhe gjëja e fundit që unë bëj është të jap vlerësime apo propozime për njerëzit të cilët momentalisht ndodhen në Hagë”, u përgjigj ajo.
Gërvalla deklaroi se akuzat që ajo është një nga dëshmitarët kundër ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale nuk qëndrojnë, duke shtuar se do të padisë këdo që thotë të kundërtën.
“Nuk jam dëshmitare e Hagës. Pse nuk jam? Sepse Haga ka trajtuar dëshmitarë të dorës së parë dhe jo të tillë që mund të kenë dëgjuar diçka”, shtoi më tej Gërvalla.
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme tha se ka pasur një fushatë për të dëmtuar atë duke e shfaqur atë si kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Të gjithë ata që më sulmojnë në publik si anti-UÇK-së duhet të maten fortë mirë se mund t’ia dal që historia t’iu tregoj që kur unë kam kontribuar në UÇK si person dhe si strukturë disa të tjerë kanë qenë ende duke pirë qumësht”, theksoi Gërvalla.
Gërvalla së bashku me kandidatët e Listës Guxo për herë të dytë në zgjedhje nacionale garuan në listë të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje dhe partinë Alternativa. (A2 Televizion)