Deputeti i Vetëvendosjes: Opozita ka plan të krijojë institucionet me deputetët e Vuçiçit

Nga A2 CNN
29 Prill 2026, 21:23 | Politikë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, u shpreh se opozita në Kosovë ka plan që “bashkë me Listën Serbe, domethënë me deputetët e Vuçiçit, të kenë mundësi të krijojnë institucionet, të zgjedhin qeveri e President përkundër fituesit të zgjedhjeve”.

Në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, Rrustemi u shpreh: “Populli e ka të qartë. Opozita ka një plan të thjeshtë: aludon, përpiqet, angazhohet që Vetëvendosja të bjerë nën 40 deputetë, që këta, bashkë me Listën Serbe, domethënë me deputetët e Vuçiçit, të kenë mundësi të krijojnë institucionet, të zgjedhin qeveri e President përkundër fituesit të zgjedhjeve. Kuvendi i Kosovës i ka 120 deputetë. Këta po presin që VV të jetë nën 40 deputetë që pastaj të lirohen 80 deputetë në anën tjetër dhe të bëhen bashkë kundër Vetëvendosjes”.

Sipas tij, “në Kosovë ka dy modele qeverisëse që i kundërvihen njëra-tjetrës”.

“Vërtetë ka disa parti politike, sepse jemi sistem shumëpartiak dhe parlamentar, me një zonë zgjedhore dhe proporcional, por ama e vërteta është që mentaliteti i qeverisë i PDK-së, zhvatës e korruptiv nga brenda, dhe me kompromise me Serbinë, ku e ke lënë Veriun në duart e Radojçiçit, është përballë konceptit të Vetëvendosjes, qeverisje të ndershme e të drejtë nga brenda, luftë kundër korrupsionit, konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme të zyrtarëve të lartë e politikanëve, zbatim të ligjit e të Kushtetutës në veri, eleminim të strukturave paralele atje dhe natyrisht ndërprerje të ciklit të koncesionit për Serbinë”, u shpreh Rrustemi.

Deputeti i Vetëvendosjes shtoi madje se opozita do ta çojë vendin në zgjedhje edhe një herë tjetër në fund të vitit.

“Le ta themi hapur: këta janë gëzuar që ka dështuar vendi me zgjedh Presidentin dje. Janë gëzuar. Ata kanë festuar që mbrëmë ka dështuar Kuvendi sepse kështu i është shkurtuar qeverisja Vetëvendosjes, edhe në kuptimin kohor, edhe në kuptimin e kompetencave të plota. Edhe unë po ju them që jo vetëm në zgjedhjet e qershorit, këta do na çojnë në zgjedhje edhe një herë në nëntor sepse nuk do të ketë zgjidhje për Presidentin as pas këtyre zgjedhjeve”, u shpreh Rrustemi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos