Dështimi i radhës, Kosova nuk arrin të konstituojë Kuvendin. Krasniqi: Kurti po sakrifikon Haxhiun

Nga Erjon Dervishi
27 Prill 2025, 15:25 | Politikë

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka hequr dorë nga kandidatura e Albulena Haxhiut për postin e Kryetares së Kuvendit. I pari që e ka bërë të ditur këtë fakt ishte numri dy i LVV, Glauk Konjufca, nga foltorja e kuvendit. 

Albulena Haxhiu ka marrë sërish vetëm 57 vota pro, nga 61 vota të nevojshme për të marrë këtë post. Kundër saj votuan 41 deputetë nga PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, ndërkaq, tre deputetët e Nismës Socialdemokrate abstenuan sërish.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, deklaroi se “insistimi arbitrar i Vetëvendosjes për Albulena Haxhiun po pamundëson që të lëvizet nga ky pozicion”. Krasniqi tha se nuk ka vota për Albin Kurtin kryeministër, dhe sipas tij, Kurti “po e sakrifikon Albulena Haxhiun”.

Hykmet Bajrami, e cila është propozuar si shefe e Grupit Parlamentar të LDK-së, tha se partia fituese e zgjedhjeve nuk mund të imponojë votën për në Kuvend. Sipas saj, institucionet konstituohen me marrëveshje politike, mirëpo LVV-ja po insiston t’i marrë të gjitha pozitat institucionale pa e pasur shumicën në Kuvend.

Ndërkohë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati tha se zgjedhjet janë skenari i fundit, megjithatë ai u shpreh se janë të gatshëm. Pas dështimit të përpjekjes së shtatë për konstituimin e Kuvendit, ai tha se sot “pati progres dhe rënie të votave kundër për kryeparlamentare”. 

Në seancën e sotme, deputetët duhej t’i emëronin kryetarin dhe pesë nënkryetarët, në mënyrë që ta konstituonin Kuvendin e Kosovës përfundimisht. Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të hapet rruga për formimin e qeverisë së re.

Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, me rreth 42 për qind të votave, apo 48 ulëse. Edhe për formimin e Qeverisë së re asaj i duhen të paktën 61 vota. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos