Kriza politike, Vetëvendosje e PDK flasin për zgjedhje të reja

Nga A2 CNN
25 Prill 2025, 20:14 | Politikë

Partitë politike në Kosovë ende janë larg një dakordimi për të zhbllokuar ngërçin rreth konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të institucioneve të reja. 

Të premten Lëvizja Vetëvendosje la për të kuptuar se nëse as të dielën nuk do të zgjidhet kryeparlamentari mund të kërkojnë interpretim rreth mandateve të deputetëve pasi bëhen 30 ditë nga certifikimi i rezultateve.

Megjithëse Kushtetuta nuk specifikon asgjë rreth djegies së mandateve, ajo thotë se seanca duhet të mbahet brenda një muaji nga certifikimi i rezultateve nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që ndodhi më 27 mars. 

“Kjo situatë nuk është se mundet të shkojë tërësisht në pafundësi, mund të sjell në një rrethanë krejtësisht tjetër ku diskutimi i përbashkët me subjektet politike po afrohet gradualisht një datë tjetër e zgjedhjeve”, tha Mimoza Kusari-Lila.

Partia Demokratike e Kosovës theksoi se ka vetëm dy rrugë për të dal nga kjo situatë, ose konstituimi i Kuvendit, ose zgjedhjet e reja.

“Nëse nuk dalim prej kësaj situate zgjedhjet duhet mbajtur në maj ose qershor, nuk mundemi ta lëmë vendin peng të tekeve të Albin Kurtit dhe Albulena Haxhiut, kjo është e tmerrshme çfarë është duke i ndodhur vendit”, u shpreh Memli Krasniqi.

Ndërsa nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thanë se pozita e kryetarit të Kuvendit i takon Vetëvendosjes dhe duhet të vijohet me konstituim të Kuvendit.

Mirëpo nuk u sqarua nëse AAK mund të votojë ndryshe të dielën por pati kritika për partitë më të mëdha që deri dje kanë qenë në opozitë si PDK e LDK.

“As opozita s’po mblidhet për ta bërë dert si të dalim nga kjo situatë, na jemi partia më e vogël thuaja na po presim prej këtyre që janë pak më të mëdhenj [v.j. PDK e LDK]”, deklaroi Bekë Berisha.

Deputetja boshnjake, Duda Balje, konfirmoi se nuk do të ketë asnjë bashkëpunim me Kurtin për shkak të trajtimit të saj gjatë mandatit të kaluar sa ishin në koalicion.

“Unë jam mbrapa qëndrimit që kemi marr si parti, në emër të partisë time, në emër të njerëzve që kanë votuar për ne. Na nuk e ndryshojmë qëndrimin”, u shpreh Dude Balja.

Seanca e radhës për konstituimin e Kuvendit do të mblidhet të dielën me fillim në ora 10:00.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos