Dialogu me Serbinë, reformat dhe plani i rritjes, BE: Presim me padurim formimin e qeverisë së re në Kosovë

Nga A2 CNN
30 Dhjetor 2025, 12:27 | Politikë

Dialogu me Serbinë, reformat dhe plani i rritjes, BE: Presim me padurim

Bashkimi Evropian pret formimin e shpejtë të qeverisë së re në Kosovë dhe zbatimin e reformave. Në një deklaratë të përbashkët përfaqësuesja e Lartë i BE-së Kaja Kallas dhe Komisionerja për Zgjerimin Marta Kos, theksuan rëndësinë e formimit të shpejtë të Kuvendit dhe qeverisë së re në Kosovë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ku fitoi partia e kryeministrit Albin Kurti.

“Pas ngërçit politik pas zgjedhjeve të shkurtit 2025, ne presim me padurim formimin e shpejtë të Kuvendit dhe Qeverisë së re dhe vazhdimin e angazhimit tonë me autoritetet. Qeveria e re duhet të dyfishojë përpjekjet e saj për reformat shumë të nevojshme që lidhen me BE-në”, thuhet në deklaratë.

Bashkimi Evropian vlerësoi pjesëmarrjen aktive të të gjitha komuniteteve dhe partive politike në zgjedhje dhe njoftoi se një Mision Zgjedhor i Ekspertëve (EEM) do të qëndrojë në Kosovë për të ndjekur procedurat paszgjedhore.

BE-ja i bëri thirrje Parlamentit të ratifikojë marrëveshjet që lidhen me Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor 2024-2027, për të përfituar plotësisht nga mundësitë e tij në dobi të popullsisë.

“Ne i bëjmë thirrje Parlamentit, sapo të formohet, të ratifikojë marrëveshjet që lidhen me Planin e Rritjes. Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është një instrument me afat të kufizuar kohor i miratuar për periudhën 2024-2027 dhe është në interesin e Kosovës që ratifikimi të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur, për të shfrytëzuar plotësisht të gjitha mundësitë sipas Planit të Rritjes, në dobi të popullsisë së saj”.

Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, BE-ja riafirmoi rëndësinë e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të Dialogut dhe të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit, duke njoftuar se është e gatshme të organizojë një takim të Nivelit të Lartë sapo të krijohen kushtet.

“Normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga BE-ja, vazhdon të jetë e vetmja mënyrë që të dyja palët të arrijnë përparim në rrugët e tyre evropiane. Ne presim që të gjitha detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit, si dhe të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut, të zbatohen pa vonesa ose parakushte të mëtejshme. BE-ja është e gatshme të organizojë një takim të Nivelit të Lartë sapo të krijohen kushtet”.

BE-ja gjithashtu kujtoi se ka dhënë 216 milionë euro ndihmë financiare pas zgjedhjeve lokale dhe synon të japë 205 milionë euro shtesë në fillim të vitit të ardhshëm.

“Kujtojmë se BE-ja po ecën përpara për të hequr masat ndaj Kosovës. 216 milionë euro ndihmë financiare janë dhënë tashmë pas transferimit të rregullt të qeverisjes lokale pas zgjedhjeve të fundit lokale. Ne gjithashtu synojmë të japim 205 milionë euro shtesë në fillim të vitit të ardhshëm”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos